Zgjedhjet lokale në Malësi: ASH përgjigjet!

Fushata parazgjedhore për Zgjedhjet lokale në Malësi të cilat do të zhvillohen të dielën, më 26 nëntor, po përmbyllet sonte, me çka në mesnatë fillon heshtja zgjedhore.

Këto janë përgjigjet e Alternatives Shqiptare (ASH):

1. Si po ecën fushata parazgjedhore e listës tuaj dhe si e vlerësoni fushatën e partive tjera?
ASH: Në përgjithësi, me fushatë jemi të kënaqur. Jemi lista më superiore, jo vetëm nga subjektet nacionale, por nga të gjitha listat, e përbërë nga larmi profesionesh që janë të nevojshme për të menaxhuar Komunën. E dinë opinioni i gjerë që ne nuk jemi marrur me listat shqiptare, për shumë arsye, edhe pse ato me ne po, në mungesë të Programit! Sa i përket çështjeve negative, në përgjithësi kishim veçuar listën e DPS, të cilët vazhdojnë me metodën e tyre të vjetër për të shantazhuar votuesit në mënyrat më primitive.

2. Cilat janë pikat tuaja kyçe në të cilat do të fokusoheni për realizim gjatë vetëqeverisjes së ardhshme?
ASH
: Ne si subjekt, para votuesve jemi prezentuar me programin konkret për zhvillimin e Malësisë në të gjitha fushat, duke filluar nga Ekonomia me fushat e saj si bujqësinë, blegtorinë etj., e deri tek zhvillimi urban, turizmi, kultura, arsimi, sporti etj. Programi në fjalë është hartuar nga ekspertë të fushave gjegjëse, dhe është shpërndarë në të gjitha familjet në Malësi. Po ashtu, i njëjti mund të shfletohet edhe në FB faqet zyrtare të ASH dhe kandidatëve për këshilltarë.

3. Cilat janë pritshmeritë tuaja nga këto zgjedhje lokale, nga 32 të mundshme, sa mandate synoni të fitoni në Kuvendin e Tuzit?
ASH
: Në bazë të asaj çfarë tregojnë analizat në teren, të subjektit tonë, si dhe të grupacioneve tjera politike, ASH do të dalë me rezultat shumë pozitiv, partitë shqiptare do të fitojnë PDS-në, dhe ASH do të jetë bindshëm partia më e fortë shqiptare.

4. Cila do të ishte përgjegjësia juaj ndaj votuesve nëse nuk e arrini synimet tuaja në këto zgjedhje?
ASH
: Nëse votuesi na beson pushtetin, ne do t’i arrijmë synimet kryesore, sepse kemi përvojë, kapacitet dhe njohuri të nevojshme.

5. Në fund të muajit të kaluar keni nënshkruar një marrëveshje për bashkëveprim me partitë shqiptare në formimin e pushtetit në Malësi. Besoni se kjo marrëveshje do të respektohet?
ASH
: Për ne kjo Marrëveshje është e shenjtë dhe ne përpikmëri do të respektohet!

6. Partitë shqiptare shpesh e kanë fajësuar DPS-në për premtime të pa-mbajtura kundrejt shqiptarëve. Ju si subjekt shqiptar do të pranoni DPS-në në koalicion pas-zgjedhor për formimin shumicës në Kuvendin komunal të Tuzit? ASH: Ne si subjekt politik, do ta drejtojmë Komunën, së bashku me subjektet nacionale! Nëse jemi të detyruar të bisedojmë me subjektet tjera serbo-malazeze, do t’i përmbahemi asaj çfarë parasheh Marrëveshja e nënshkruar në Tiranë!

7. Cili është mesazhi juaj për votuesin shqiptar në Malësi?
ASH: I njëjti që kemi përsëritur gjatë fushatës, pra delni të gjithë në votime dhe votoni vetëm subjektet shqiptare! Vota juaj është e shenjtë dhe do të vëndosë për fatin e Malësisë, andaj mendoni mirë se kush meriton votën tuaj, kush meriton të drejtojë Komunën e Malësisë. Pa dyshim që Ju do ta zgjedhni listën e Alternativës Shqiptare, sepse jemi lista që vepron e mëndon shqip, lista më e plotë dhe më superiore nga të gjitha listat tjera konkuruese, që ka njohuri e kapacitet ta zhvillojë Malësinë në çdo aspekt!

/MALESIA.ORG/