Zgjedhjet lokale në Malësi: UDSH përgjigjet!

Fushata parazgjedhore për Zgjedhjet lokale në Malësi, të cilat do të zhvillohen të dielën, më 26 nëntor, po përmbyllet sonte, me çka në mesnatë fillon heshtja zgjedhore.

Këto janë përgjigjet e Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH):

1.Si po ecën fushata parazgjedhore e listës tuaj dhe si e vlerësoni fushatën e partive tjera?
UDSH: Në përgjithësi fushata parazgjedhore po kalon mirë, presionet nga partitë politike janë zvogëluar edhe pse nuk mund të thuhet se janë anuluar.

2. Cilat janë pikat tuaja kyçe në të cilat do të fokusoheni për realizim gjatë vetëqeverisjes së ardhshme?
UDSH: Arritja e realizimit të statusit të komunës së plotë, ruajtja e dygjuhësisë, punësimi proporcional, krijimi i bazës ligjore për formimin e sekretariateve dhe ndërmarrjeve publike dhe punësimin e të rinjve.

3. Cilat janë pritshmeritë tuaja nga këto zgjedhje lokale, nga 32 të mundshme, sa mandate synoni të fitoni në Kuvendin e Tuzit?
UDSH: Çdo parti synon maksimumin. Reale do të ishte ruajtja e mandateve të deritanishme.

4. Cila do të ishte përgjegjësia juaj ndaj votuesve nëse nuk e arrini synimet tuaja në këto zgjedhje?
UDSH: Është herët të jepet përgjigje në këtë pyetje por sidoqoftë jemi optimist.

5. Në fund të muajit të kaluar keni nënshkruar një marrëveshje për bashkëveprim me partitë shqiptare në formimin e pushtetit në Malësi. Besoni se kjo marrëveshje do të respektohet?
UDSH: Marrëveshja në parim nuk është obligative, për momentin duhet të angazhohemi në maksimizimin e votave.

6. Partitë shqiptare shpesh e kanë fajësuar DPS-në për premtime të pa-mbajtura kundrejt shqiptarëve. Ju si subjekt shqiptar do të pranoni DPS-në në koalicion pas-zgjedhor për formimin shumicës në Kuvendin komunal të Tuzit? UDSH: Jemi të hapur për bashkëpunim me çdo parti e cila do të pranoj parimet dhe programin tonë.

7. Cili është mesazhi juaj për votuesin shqiptar në Malësi?
UDSH: Që në mënyrë masovike me dt. 26 Nëntor të delet në votim dhe të votojnë numrin 6 si dëshmi dhe siguri për realizimin e projekteve.

 /MALESIA.ORG/