LDSH: Me konsenzus drejt jetesimit të marreveshjes


Të nderuar qytetarë dhe qytetare të Malësisë,
Duke i uruar çdo shqiptari 28 Nëntorin, këtë Ditë të shenjtë për kombin shqiptar, ju përkujtojmë sakrificat e mëdha të të parëve tonë, për nder të flamurit e për hir të kombit, dhe falenderojmë të gjithë ata që morën guximin dhe sakrifikuan edhe kësaj radhe, qoft duke refuzuar ofertat e majme parazgjedhore, apo duke rezistuar çdo shantazhi dhe presioni që u bë gjatë fushatës parazgjedhore, vetëm e vetëm për të përkrahur subjektin të cilit i besojnë.
Edhe pse rezultati ishte nën pritshmeritë tona, është për çdo lëvdat vepra e atyre që e ndihmuan që të arrihet, pasi që, nëse kemi para syshë nivelin e presionit, shpifjeve dhe të ofertave, e që tejkalon praktikën e deritashme parazgjedhore, nuk ishte e çuditshme edhe po të realizohej aspirata e disa garuesve politik, që binin në pyetje edhe kalimin e cenzusit për LDSH-në. Një fushatë e tillë parazgjedhore, natyrisht se dha një rezultat që përkon plotësisht me atë që ishte e mundshme në rrethanat e krijuara, kur LDSH ishte i vetmi subjekt i atakuar pamëshirshëm nga të gjitha anët, në mënyrë sistematike, madje edhe nga ata që nuk pritej. Për kunder asajë ne bëmë një fushatë pothuaj akademike, e përkrahur dhe e pëlqyer nga shumë adresa relevante. Ajo nuk pati fyerje as shpifje, por as nëpërkëmbje të dinjitetit malësor me oferta nënçmuese e përulëse.
Sot, të ballafaquar me realitetin e ri, të një inxhinjeringu politik, detaisht të njoftuar me krejt ecurinë e fushatës dhe me sjelljet në teren, të të gjithë akterëve politik, jemi të gatshëm që, për hir të kësaj Dite të madhe të kombit tonë, për hir të pritshmërisë së qytetarëve të Malësisë, e edhe të diasporës sonë, e cila fuqishëm na përkrahu, e për çka thellësisht e falenderojmë, për respekt ndaj marrëveshjes së Tiranës, të gjitha trysnitë e ushtruara, të gjitha shpifjet, fyerjet e veprimet pa vend, që na janë bërë, t’ia lamë fushatës parazgjedhore, kurse sjelljet e pahishme, të cilat kapërcejnë edhe kodin moral e njerëzor të malësorit e të shqiptarit, në përgjithësi, t’i lëmë që gjithkush t’i mbaj mbi ndërgjegjen e vet, dhe të ulemi e të bisedojmë për të ardhmën e Malësisë.
Ne presim realizimin e përpiktë të marrëveshjes, nga akterët nënshkrues, në frymen e asaj që ishin e që janë gjithnjë porositë tona, që shqiptarët vetëm të bashkuar mund të bëjnë diçka për Malësinë, e jo përmes kontratave që sigurojnë privilegje personale e partiake.
Prandaj edhe i ftojmë ASH dhe UDSH, që të kapërcejnë divergjencat e dalura nga fushata dhe të ulemi e t’i diskutojmë shtruar të gjitha mundësitë e bashkëpunimit për të mirën e Malësisë.
Ta vemë Malësinë të parën, Malësinë para së gjithash! Për këtë LDSH, kërkon konsenzus të nënshkruasve të marrëveshjes.
Juaja LDSH