Rastet e diskriminimit kundrejt shqiptarëve nën Mal të Zi nuk kanë të ndalur, janë të përditshme dhe i janë bërë rutinë këtij pushteti!
1.Javën e kaluar, mëngjesin e 12 Majit papritmas në zemër të fshatit Martinaj (Plavë e Guci) disa persona të deleguar nga Kisha Ortodokse Serbe vijnë që të kryejnë ceremoni e rituale fetare te një objekt inekzistent, objekt apo Kishë e tyre ‘imagjinare’, të mbrojtur nga forca të shumta policore malazeze.
Vijnë në befasi dhe nën masa të rrepta sigurie duke e ditur se janë në vend të gabuar dhe duke e ditur se do të hasin në rezistencë të banorëve shqiptarë!
Ky akt nuk paraqet asgjë tjetër pos një provokim të nivelit shumë të ultë, bazuar në idetë anti-shqiptare të elitave politike dhe akademike serbe të shekujve të kaluar, të cilat hartuan programe shoviniste për kolonizimin, shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve në tokat e tyre autoktone.
Edhe sot këto plane famëkeqe po zbatohen në forma më të sofistikuara në trevat tona, të dirigjuara nga Kisha Serbe e me ndihmë edhe të shtetit malazez!
2.Vendimi i nisjes së procedurës disiplinore kundër klubit OTRANT të Ulqinit nga ana e Federatës së Futbollit të Malit të Zi dhe vendimi për denim të klubit për shkak të valvitjes së një flamuri shqiptarë gjatë ndeshjes, është një skandal, është akt tepër i ultë, është veprim qyqar!
Veprim ky që më shumë i ngjanë kohës së komunizmit sesa një shteti “demokratik”, një shteti që synon integrimet euro-atlantike!
Nuk befasohem nga institucionet e këtij shteti, sepse nuk pres më mirë se kaq nga ta, por heshtja e përfaqësuesëve të popullit shqiptarë (qofshin në Kuvend, Qeveri a poste tjera të larta shtetërore) është shumë brengosëse, është tepër shqetësuese, është e pajustifikueshme, është e pafalshme!
Folne burra nga një fjalë se nuk bâhet kijameti, mos u frikësoni, nëse asgjë më tepër nuk mund të bëni, të pakten folni sepse nuk keni arritë në ato pozita me votat e Cetinjes po me votën e popullit shqiptarë, me votën e popullit tuaj!
Shqiptarët nën Mal të Zi nuk kanë flamur tjetër, përveç shqiponjes dykrenëshe, nuk kanë vend tjetër pos tokave të tyre autoktone e nuk mund të ikim e as do të ikim nga trojet tona, sado që ky shtet të përdor masa shtrëngimi të tilla si rastet i fundit!