Forca: Me Tuzin komunë plotësohet një prej pikave kryesore të programit tonë politik

Komuna e plotë e Tuzit – aprovimi i ligjit

Me datën 27 Prill 2017, Parlamenti i Malit të Zi vendosi me 42 vota PRO për Ligjin i cili parasheh që Komuna e Tuzit të formohet si komunë e plotë, komunë e pavarur si të gjitha komunat tjera në Mal të Zi. Me këtë datë mbyllet një kapitull i rëndësishëm për shqiptarët, ku pas 5 tentativave 1997, 2001, 2006, 2009, 2014 për të fituar komunën e plotë të Tuzit, arritëm që sot me një politikë afatgjate të realizojmë ëndrrën e të gjithë qytetarëve të Malësisë.

Komuna e Tuzit si komunë e plotë ishte pikë programore që në themelimin e Forcës se Re Demokratike. Pikë për të cilën gjithmonë kemi luftuar që komuna e Tuzit të fitojë statusin të cilin e meriton dhe të decentralizohet nga komuna e Podgoricës.

Koalicioni “Shqiptarët të Vendosur” – FORCA-UDSH-ASH – si kusht për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi e kishte zgjidhjen e problematikës së komunës Tuzit. Realizimi i komunës së plotë të Tuzit/Malësisë pas 27 vjetësh u bë realitet sot dhe vetëm me punën e sinqertë të këtij koalicioni të vetëm shqiptar.

Disfatë është ajo që disa deputetë shqiptarë nuk ishin sot këtu në Parlament për ta votuar Ligjin i cili mundëson realizimin e Komunës së plotë të Tuzit. I thërrasim që të MOS merren më me çështjen e shqiptarëve, se sot të gjithë u bindën se ata as që dëshirojnë të ndihmojnë zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe çështjeve tjera të shqiptarëve.

Miratimi i ligjit për formimin e komunës së plotë të Tuzit është dëshmi për ato partitë shqiptare që nuk besuan se kjo ditë do të bëhet realitet, pra, u themi se liderët tuaj janë ata që po e pengojnë realizimin e nevojave të shqiptarëve. Është koha që të tërhiqeni nga skena politike dhe kështu të përfundojë mashtrimi i votuesve shqiptarë, që u përkrahën dhe se ka ardhur koha që të gjithë shqiptarët të rreshtohen me Koalicionit “Shqiptarët të Vendosur” – FORCA-UDSH-ASH.

Falënderojmë të gjithë deputetët në Parlamentin e Malit të Zi që përkrahën Ligjin për Komunën e plotë të Tuzit dhe jemi të sigurt që edhe nevojat tjera të shqiptarëve, por edhe të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi do të realizohen për një të ardhme më të mirë.

Urime të përzemërta të gjithë banorëve të Tuzit e Malësisë dhe punë të mbarë në menaxhimin e komunës së re të Tuzit.

Forca e Re Demokratike
Zyra e shtypit

Furra Tahiri