“Art Club” sjell “Katalog-un e botimeve 1991-2015”

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka publikuar së fundmi “Katalog-un e botimeve” të saj, në të cilin prezantohet veprimtaria botuese e kësaj shoqate gjatë periudhës 1991-2015. Në të janë përfshirë 104 botime të 43 autorëve. Katalogu është hartuar duke ndjekur parimin kronologjik të daljes së botimeve. Në të janë paraqitur në mënyrë të përmbledhur të dhënat kryesore dhe një vështrim i shkurtër për secilin botim.

Katalogu përbëhet nga 138 faqe me ngjyra dhe çdo botimi i është kushtuar nga një faqe e veçantë. Ai fillon me një paraqitje të shkurtër të “Art Club”-it, parathënien, kurse në fund të Katalogut është dhënë lista e botimeve sipas rendit alfabetik të autorëve. Teksti është hartuar nga mr. Haxhi Shabani, redaktor është Ismet Kallaba, lektor Hajredin Kovaçi, kurse redaktor teknik Qazim Muja.

Katalogu është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Komunës së Ulqinit, ndërsa është shtypur në Shtypshkronjën “Merkator” në Bijello Pole.

SHAI “Art Club”-i ka botuar deri tani më shumë se 110 libra të fushave dhe gjinive të ndryshme, duke qenë botuesi më i madh ndër shqiptarët në Mal të Zi. Ato përbëjnë një thesar të çmuar të shqiptarëve në Mal të Zi dhe më gjerë.

Ulqin, më 03. 05. 2017 SHAI “Art Club”

Tags: