Dr.Sci.Veton Zejnullahi: Pozita e shqiptarëve në Mal të Zi

Nga Dr.Sci.Veton Zejnullahi

Apstrakt
Shqiptarët e Malit të Zi si pjesë integrale dhe e pandarë e kombit shqiptarë në trojet e veta në Mal të Zi përbëjnë 4.91% të popullatës së gjithmbarshme të këtij shteti. Popullata shqiptare atje karakterizohet me një diasporë të fuqishme kryesisht e vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa pas Luftës së Kosovës shumë qytetarë shqiptar u vendosën në Kosovë në kërkim të një jete më të mirë. Edhe pse të paktë në numër në krahasim me popujt e tjerë, shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe në të ardhmen e shtetit. Duhet patjetër konstatuar rëndësinë e votës shqiptare në referendumin e organizuar për shkëputjen e Malit të Zi nga bashkësia shtetërore me Serbinë e cila ishte përcaktuese në arritjen e rezultatit përfundimtarë në dobi të shpalljes së pavarësisë. Shqiptarët ishin nga të parët që formuan subjektet e tyre politike duke ndihmuar kështu që edhe Mali i Zi të bëhet shtet shumëpartiak. Gjatë luftës për çlirimin e Kosovës shqiptarët e Malit të Zi luajtën një rol të jashtëzakonshëm duke filluar që nga financimi, pjesëmarrja direkte në luftë e sidomos në akomodimin e qytetarëve duke i vendosur në shtëpi private si të shqiptarëve të atjeshëm ashtu edhe të boshnjakëve por edhe në ndërtesa tjera si nëpër xhami apo edhe në shtëpi të kulturës. Organizimi politik i shqiptarëve fillon me vendosjen e pluralizmit politik dhe aktualisht veprojnë disa parti politike por edhe Këshilli Nacional i Shqiptarëve.
Fjalët kyçe: Mali i Zi, referendumi, shqiptarët, të drejtat kombëtare, Këshilli nacional
Hyrje
Republika e Malit të Zi pas Luftës së Dytë Botërore ishte pjesë e RSFJ-së, e përbërë nga gjashtë republika dhe dy krahina. Mali i Zi ishte republika më e vogël si për nga teritori ashtu edhe për nga numri i popullatës, por me një pozitë gjeostrategjike mjaft të volitshme sepse mes të tjerash ka dalje edhe në Detin Adriatik. Qysh në fillim të procesit të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë kjo republikë e vogël e federatës jugosllave u bë cak i goditjeve të nacionalistëve serb. Në të ashtuquajturin “Revolucioni Antibirokratik” pas protestave masive në Titograd (Podgorica e sotme) në Janar të vitit 1989 udhëheqësia partiake dhe shtetërore e Malit të Zi dha dorëheqje duke u zëvendësuar me aleatët e Sllobodan Millosheviqit. Pasi që federata jugosllave u shpërbë në Prill të vitit 1992 me pavarësimin e republikave të atëhershme, në federatë mbetën vetëm Serbia dhe Mali i Zi duke shpallur Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ) me 27 Prill 1992. Pas kësaj periudhe edhe pse aleatë të dikurshëm, raportet mes dy republikave filluan të acarohen e sidomos pas ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës. Në vitin 2003, Republika Federale e Jugosllavisë u rikonstituua dhe e ndërroi emrin në Bashkimi Shtetëror i Serbisë dhe Malit të Zi por ky bashkim nuk ishte jetëgjatë dhe u shpërbë me shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi me 3 Qershor 2006. Për këtë shkak u organizua referendumi që solli deri te mobilizimi i popujve joserbë të Malit të Zi për një pjesëmarrje masive. Pikërisht në referendumin e mbajtur me 21.05.2006 qytetarët shqiptarë udhëtuan nga Europa, Amerika dhe shumë vende të largëta me qëllimin e vetëm shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi. Këtë vlerë të votës shqiptare e rrit fakti se Bashkësia Ndërkombëtare kërkoi nga Mali i Zi që për pavarësi të deklarohen jo 51% si zakonisht, por 55% të qytetarëve. Rezultatet e dëshmojnë rëndësinë e votës shqiptare, sepse në fund doli që 55.5% e qytetarëve të Malit të Zi u deklaruan për pavarësinë e vendit të tyre. Shiquar nëpër komuna ku jetojnë shqiptarët vërejmë një dalje masive dhe një rezultat të thellë në favor të pavarësisë si psh.Ulqin 88.50%, Plavë 78.92%, Rozhajë 91.33%. 1 Është shumë interesant fakti se gjatë këtij referendumi faktori politik shqiptarë u bashkua dhe veproi në interes të shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, madje duke qenë deçiziv në rezultatin përfundimtarë, por që në të kundërtën asnjëherë nuk arriti të bashkohet dhe të paraqitet unik dhe me një listë të përbashkët për zgjedhjet nacionale dhe që rrjedhimisht do të sillte numër më të madhë të deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi.

 


Harta e Malit të Zi

2 Qëllimi i punimit Qëllimi i këtij punimi është që të tregoj gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi duke u fokusuar në aspektin historik, politik, ekonomik, arsimor, shëndetësor, të drejtave kombëtare – simbolet dhe gjuha, informimit, migrimi dhe shumë probleme të tjera me të cilat ballafaqohet popullata shqiptare në këtë Republikë. Gjithashtu, do të potencojmë edhe rolin e Malit të Zi gjatë luftërave që sollën deri te shpërbërja e federatës jugosllave dhe për procesin e pavarësimit të Malit të Zi dhe rolit të shqiptarëve në këtë proces.
Shiquar nga aspekti historik Mali i Zi ka një histori të bujshme duke filluar që nga antika kur ishte teritor ilir e deri te sundimi i perandorisë osmane kur shekuj me rradhë bënte pjesë në Vilajetin e Shkodrës që në vete kishte katër kaza shqiptare dhe një malazeze e deri te Traktati i Shën Stefanit i vitit 1878 dhe Kongresi i Berlinit i po atij viti kur u njoft si shtet sllav. Falë Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit Malit të Zi iu shtuan me mijëra kilometra katrorë duke përfshirë shumë toka shqiptare që edhe sot janë pjesë e Malit të Zi.Ulqini, Tivari, Tuzi, Hoti, Gruda, Rozhaja janë vetëm disa nga tokat shqiptare që iu dhanë Malit të Zi.
Në përgjithësi me Traktatin e Shën Stefanit Malit të Zi do t’i jepej një teritor prej 15.700 km2 .3 dhe përfshinte një teritor trefish më të madh, por të cilin do ta revidojë Traktati i Berlinit nga i cili iu dha një sipërfaqe prej 9.100 km2.4

 


Harta e vilajeteve shqiptare

Zhvillimet politike në vitet e nëntëdhjeta të shekullit XX

Pas shembjes së komunizmit dhe vendosjes së pluralizmit politik në gjithë Europën Lindore edhe ish-Jugosllavia e rrjedhimisht edhe Mali i Zi u përfshi në këtë valë të madhe të ndryshimeve duke kaluar nga sistemi njëpartiak i organizimit shtetëror në atë të demokracisë parlamentare pluraliste. Shqiptarët ishin nga të parët që formuan partitë e tyre politike fillimisht me Lidhjen Demokratike të Malit të Zi e më vonë u pasurua edhe me parti të tjera politike.Përndryshe gjatë këtyre dy dekadave të jetës plurale në Mal të Zi janë formuar mbi njëqind parti politike por shumica prej tyre kanë qenë jetëshkurta.
Mali i Zi si pjesë përbërëse e Republikës Federale të Jugosllavisë së bashku me Serbinë nuk u shmang dot nga luftërat e përgjakshme që sollën deri te shpërbërja e ish-RSFJ-së, aq më tepër që në fillim të luftës në Kroaci shumë vullnetarë malazez u rreshtuan krah për krah me formacionet ushtarake dhe paraushtarake serbe në luftë kundër kroatëve duke pretenduar që të marrin pjesë të teritorit kroat respektivisht pjesën strategjike të quajtur Konavle dhe Prevlaka, si dhe u shquan sidomos gjatë bombardimit të qytetit të Dubrovnikut. Mirëpo, pas largimit të Momir Bullatoviq nga skena politike malazeze, qeveria e Milo Gjukanoviqit u distancua nga luftërat pushtuese duke u koncentruar në përgaditjen e Malit të Zi për shkëputje nga Serbia. Në ndërkohë pozita e shqiptarëve sa vinte dhe keqësohej si pasojë e propagandës antishqiptare të udhëhequr nga Beogradi zyrtar. Me pretekstin e thirrjes në shërbimin ushtarak dhe dërgimin e të rinjëve shqiptarë në frontet e luftës shumë të rinj u detyruan të largohen dhe të vendosen në vende të ndryshme perëndimore dhe në SHBA që në masë të madhe ndikoi në zvoglimin e mëtutjeshëm të numrit të shqiptarëve në Mal të Zi.
Gjatë fushatës së sulmeve ajrore të NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, që për cak sulmi kishte edhe shumë baza detare dhe ajrore të armatës jugosllave të stacionuara në teritorin malazez qeveria e Malit të Zi mbajti një qëndrim konstruktiv duke u distancuar nga qeveria federale dhe duke i dhënë mbështetje opozitës serbe, madje duke bërë edhe strehimin e tyre në Mal të Zi pasi që ishin cak i ndjekjeve të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, siç ndodhi me liderin e demokratëve serb Zoran Gjingjiq i cili disa vite më vonë u zgjodh Kryeministër i Serbisë por që u ekzekutua në një atentat nga nacionalistët serb.

Organizimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi


Vendbanimet shqiptare në Mal të Zi

Pas vendosjes së pluralizmit politik edhe në Malin e Zi, shqiptarët ishin ata ndër të parët që formuan subjektet e tyre politike. Lidhja Demokratike e Malit të Zi është subjekti i parë i formuar shqiptar në Mal të Zi. Aktualisht veprojnë dhjetë parti politike shqiptare: Kjo është lista e partive politike shqiptare bazuar në koalicionet nga zgjedhjet e fundit: Koalicioni “Për Bashkim” ka tre parti politike: Forca e Re Demokratike (FORCA), Partia Inisiativa Qytetare dhe Lëvizja “Perspektiva”. Grupimi tjetër politik “Koalicioni Shqiptar” me tre parti të tjera: Lidhja Demokratike, Partia Demokratike dhe Alternativa Shqiptare. Është edhe partia e kahershme Unioni Demokratik Shqiptar (UDSH), pastaj Aleanca Rinore Shqiptare, ndërsa tash edhe dy partitë e reja: Partia Iniciativa Qytetare Shqiptare (“Partia e Plavës”) dhe Partia Aleanca Shqiptare (“Partia e Gucisë) çka i bie realisht që për çdo 2.000 votues shqiptar ekziston nga një parti politike.
Që nga zgjedhjet e para të mbajtura në vitin 1990 e deri në zgjedhjet e fundit shqiptarët gjithmonë kanë qenë të përfaqësuar në Parlamentin Republikan dhe numri i deputetëve variron varësisht nga organizimi i tyre. Numrin më të madh të deputetëve e kanë pasur në zgjedhjet e vitit 1996 me gjithsejt katër deputetë7. Është me rëndësi të thuhet se shqiptarët vazhdimisht përfshihen edhe në listat e partive nacionale malazeze duke i dhënë kështu edhe karakterin qytetarë këtyre partive bile disa prej tyre edhe kanë arrit që të zgjidhen deputetë. Ky rast i përfaqësimit ndodhë zakonisht me partinë e Kryeministrit Milo Gjukanoviq – Partia Demokratike e Socialistëve ( DPS ). Ajo që i karakterizon shqiptarët në Mal të Zi ashtu sikurse shqiptarët në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës është mosuniteti dhe ndarja nëpër shumë parti të vogla që i shkon për shtati plotësisht pushtetit. Asnjëherë shqiptarët nuk dolën me një listë në zgjedhjet nacionale apo edhe ato lokale në komunat në të cilat rrezikojnë humbjen eventuale. Për më tepër në zgjedhjet e fundit lokale për komunën e Ulqinit partitë shqiptare humbën shumicën nga partia në pushtet DPS dhe sikur mos të ishte presioni i madh i opinionit publik nga qytetarët e atjeshëm si dhe presioni nga Prishtina dhe Tirana për krijimin e një koalicioni paszgjedhor ishte rrezik që e vetmja komunë që udhëhiqet nga shqiptarët të humbej dhe të binte në duart e partive malazeze.

Roli i shqiptarëve të Malit të Zi gjatë luftës së Kosovës

Lufta e UÇK-së për liri dhe pavarësi të Kosovës si një sfidë gjithkombëtare u ndihmua dhe u përkrah në forma të ndryshme nga shqiptarët e Malit të Zi. Shqiptarët e Malit të Zi ishin shumë aktiv në akomodimin e qytetarëve shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe sidomos të Rrafshit të Dukagjinit, pastaj pjesëmarrja e drejtëpërdrejtë në luftë e deri te dhënia e donacioneve të shumta në shërbim të luftës. Qyteti i Rozhajës ishte si portë hyrëse për qytetarët e dëbuar të cilët u vendosën në shtëpitë private të shqiptarëve si dhe në objektet fetare dhe kulturore. Me dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës u vendosën në qytetet shqiptare që nga Rozhaja e deri në Ulqin apo përmes tyre kaluan në Shqipëri. Përveç akomodimit të qytetarëve u bë edhe furnizimi me ushqime dhe barëra për ushtarët e UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit që ishin të vendosur në Bjeshkët e Rugovës e në shumë raste edhe transferimi i ushtarëve të plagosur dhe trajtimi i tyre mjekësor nëpër shtëpitë e shqiptarëve. Duhet patjetër të ceket fakti që asnjë institucion nga Kosova nuk e pa të arsyeshme që së paku të shpreh një falenderim publik për shqiptarët e Malit të Zi për kontributin e dhënë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës ashtu siç veproi me Shqipërinë dhe shqiptarët e Maqedonisë. Vendosja e një pllakë falënderuese në Rozhajë apo Ulqin do të ishte një justifikim për tërë aktivitetin e zhvilluar dhe një mesazh për brezat e ardhshëm duke i dëshmuar që të parët e tyre kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës Problemet aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi
Edhe pas pavarësimit të Malit të Zi qytetarët shqiptar ballafaqohen me probleme të shumta e që janë elementare sa i përket të drejtave kombëtare. Problemi që preokupon është ai i arsimimit të lartë në gjuhën amtare pra mungesa e një Universiteti i cili do ti përmbushte nevojat e tyre me kuadro të reja. Andaj e vetmja mundësi është që të shkollohen në Prishtinë dhe Tiranë. Edhe pas shumë kërkesave akoma nuk është hap asnjë institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Kjo trevë njihet si shumë arsimdashëse dhe argumentohet me atë se shkolla e parë është hap në vitin 1892 në Skje-Krajë8 duke u pasuar në vitet në vijim me hapjen eshkollave në viset tjera shqiptare. Përndryshe, nga këto treva është edhe Gjon Buzuku autori i librit të parë shqip “Meshari” në vitin 1555.
Problem tjetër është edhe shëndetësia sepse nuk ekziston asnjë spital i vetëm siç shihet edhe nga lista zyrtare e spitaleve e botuar nga Ministria e Shëndetësisë9 në tërë rajonin përpos një numri të caktuar të ambulancave të cilat asesi nuk i përmbushin nevojat , andaj për çdo problem më serioz shëndetësor qytetarët duhet të bëjnë me dhjetëra kilometra për të marë shërbimet e nevojshme mjekësore. Aspak më e mirë nuk është gjendja e informimit në gjuhën amtare ku përveç disa televizioneve lokale nuk ka ndonjë televizion apo gazetë e cila do të mbulonte tërë teritorin me qëllim informimin sa më të shpejtë dhe më kualitativ të qytetarëve. Qytetarët shqiptarë janë të privuar edhe nga e drejta e përdorimit të simboleve të tyre kombëtare siç është rasti i përdorimit të flamurit kombëtar si dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.Të gjitha dokumentet sot e kësaj dite lëshohen vetëm në gjuhën serbe dhe shqiptarët nuk e gëzojnë asnjë të drejtë në këtë drejtim. Në këtë fushë ndodh edhe diskriminimi më i madh sepse mbiemrave të qytetarëve shqiptar i shtohen prapashtesat sllave – iq dhe viq Aktualisht problemi që po e preokupon më së shumti rajonin është migrimi i popullatës i cili ka marrë hov sidomos pas liberalizimit të vizave që BE-ja e vendosi për Malin e Zi. Shkaqet e këtij migrimi janë të shumta duke filluar që nga çështja e sigurisë, pastaj mungesa e perspektivës dhe zhvillimit ekonomik të rajonit ka ndikuar që të rinjtë shqipëtar që shkollohen në Kosovë apo Shqipëri në mungesë perspektive mbeten atje sepse edhe mundësia për punësim është më e madhe. Përveç migrimit në vendet perëndimore dhe SHBA shqiptarët e atjeshëm pas çlirimit të Kosovës kanë filluar të vendosen me familjet e tyre në Kosovë që në masë të madhe po ndikon në zvogëlimin e mëtutjeshëm të numrit të shqiptarëve në Mal të Zi.

Perspektiva e zhvillimit ekonomik
Rajonet shqiptare në Mal të Zi përveç se janë të rëndësishme në aspektin gjeo-strategjik ato janë të pasura me pasuri nëntokësore dhe ofrojnë kushte të volitshme për zhvillimin e ekonomisë. Dega kryesore e ekonomisë është Turizmi. Në viset shqiptare zhvillohet turizmi veror në bregdet në plazhet e Ulqinit si dhe turizmi dimëror në shpatijet e mrekullueshme në afërsi të Rozhajës që me investimet e duhura do të shndërroheshin në vende mjaft tërheqëse për turistët e huaj që e praktikojnë sportin e skijimit.
Degë tjetër e rendësishme është edhe bujqësia e sidomos blegtoria sepse kushtet klimatike janë të tilla që mundësojnë zhvillimin e një prodhimtarie mjaft produktive si dhe industrinë e përpunimit të produkteve blegtorale.
Karakteristikë e viseve shqiptare në Mal të Zi është edhe prodhimtaria e drurit dhe përpunimit të tij e sidomos ndërtimin e shtëpive prej drurit. I mbetet organeve qeveritare që të investojnë në pyllëzimin e maleve të larta të cilat ofrojnë drunjë të kualitetit të lartë me të vetmin qëllim që kjo zonë të kthehet në një vend industrial për përpunimin e drurit që rrjedhimisht do të gjenerojë edhe vende të reja të punës.
Një tjetër degë e rëndësishme është edhe energjetika dhe prodhimi i energjisë me erë si produkt i cili mbështetet dhe favorizohet edhe nga Marrëveshja e Kiotos.Duke ditur se Mali i Zi është vendi i vetëm ekologjik në Botë, kjo formë e prodhimit favorizohet edhe nga vet shteti sepse nuk shkakton ndotje të ambientit.