Trillimet e armiqve, madje edhe kundrejt gatishmerisë për të paguar një çmim të lartë për to, është karakteristikë e të gjitha regjimeve, madje edhe individëve, të cilët me çdo kusht duan t’i ruajnë pozicionet e fituara. Do të thotë që kjo është karakteristikë e të gjitha regjimeve totalitare, të cilët demokracinë fiktive e përdorin vetëm për fshehjen e autokracisë së vet të padeklaruar. Mirëpo, gatishmeria për t’i shkaktuar dhembje vetvetes ose për të krijuar iluzionin e të rrezikuarit me qëllim për t’i akuzuar të tjerët, në psikanalizë ka emërtimin e vet. Kur persona me dijagnozë të tillë vinë në pushtet, populli do ta ketë të vështirë që t’i heqë qafe. Mendoj se qytetarët e Malit të Zi përjetuan pikërisht një fat të tillë kur në vitin e largët 1990 vendosën për t’i mbështetur puçistët e atëhershëm, respektivisht strukturën e cila edhe sot e kësaj dite ndodhet në pushtet. Duke mos hyrë në “betejat e tyre të mëdha” për të ardhur në pushtet dhe për ta ruajtur atë, dua të ju rikujtoj vetëm disa nga episodet e “kësaj lufte”, të cilat megjithatë dallojnë në nuansa të vogla, varësisht nga fakti se kush ka qenë objektivi. Në këto episode rreshtoj vitin e largët 2006, kur në Mal të Zi u katandisën shqiptarët. Boshnjakët pësuan të parët në këtë aspekt, ngase mallkimi i PDS-së i arriti më 1993, kurse vitin e kaluar, 2016, u erdhi radha edhe serbëve.
Me gjithë keqardhjen për të gjithë viktimat, është interesant fakti se të gjitha akuzat janë të ngjashme, por vuajtjet as përafërsisht jo! Ndonëse Jurisprudenca i ka sytë e mbyllur, autoritetet gjyqësore malazeze, madje edhe policia, duket se respektojnë urdhërin e zotit: “duaje të afërmin tënd”.
Aksioni “Fluturimi i shqiponjes” nga viti 2006 do të mbahet mend për sielljen brutale të policisë dhe pushtetit gjyqësor ndaj shqiptarëve, dhe kjo jo vetëm ndaj të pandehurve, por edhe ndaj familjeve të tyre (sikurse edhe aksioni “Lim” ndaj boshnjakëve në vitin 1993). Pas rrahjeve brutale dhe stërzgjatjes së procesit gjyqësor, ata u dënuan me mbi 60 vite burgim të rëndë.
Në vitin 2016, krime të ngjashme iu atribuan serbëve, mirëpo ndaj tyre askush nuk ka ushtruar torturë (gjë për të cilën si njeri dhe si qytetar, më vjen mjaft mirë), dhe as nuk u burgosen njerëz, me përjashtim të të ashtuquajturve bashkëpunëtorë dhe një shoferi. Për më tepër, puçistët e tanishëm varg e vijë u shpallën dëshmitarë – bashkëpunëtorë dhe janë në mëshirë të regjimit, e jo si ata nga vitet 1993 dhe 2006. Mirëpo, duke mos dashur të minimizoj vuajtjet e askujt, nuk mundem të mos i krahasoj këto dy raste, të cilat duketse patën vetëm një emërtues të përbashkët – konspiracionin e pushtetit për hirë të përfitimeve politike, por duhet ta pranojmë se prapseprapë janë sjellur në mënyrë më njerëzore ndaj të “afërmve të vet”. Apo ndoshta ky atak i fundit ndaj integritetit dhe sovranitetit shtetëror nuk ishte aq serioz sa ç’e pohojnë ata, gjë të cilën edhe unë e besoj! Një konkluzion i tillë do të mund të nxirrej edhe nga qëndrimi i Stankoviqit për të mos i arrestuar të pandehurit kryesorë. Po të kishte pasur një qëndrim të paktën përafërsisht të këtillë edhe në vitin e vrazhdë 2006, kur, nëse ju kujtohet, ka qenë edhe gjykatës i çështjes! Ndoshta rasti i “Fluturimit të shqiponjës” i ka emancipuar autoritetet gjyqësore dhe policore malazeze, gjë të cilën do ta përgëzonim, por, në rast të tillë do të ishte e udhës që t’u kërkohet ndjesë shqiptarëve dhe t’u kompensohet dëmi.
Për “Jurisprudencën e verbër malazeze” do të mund të diskutohej edhe kur është fjala për raportin ndaj Maroviqit dhe të birit, të cilët kanë falsifikuar dhe shtetin e kanë dëmtuar (ose thënë me gjuhën e popullit e kanë plaçkitur, vjedhur, hajnuar) me dhjetëra miliona euro (ndoshta edhe qindra miliona), por megjithatë shëtisin lirisht, tallen me autoritetet e këtushme, kënaqen në luksin e paimagjinueshem për qytetarët e thjeshtë, ndërkohë që qytetari Gjergj Camaj (Gjuri), për shkak të dyshimeve apo pohimeve se nga telefoni i tij celular kinse janë shkëmbyr mesazhe sms, i atribuohet pjesëmarrja e tij në veprimtari të palejueshme, për të cilat tashmë disa muaj dergjet në burg, pa të drejtë për t’u mbrojtur në liri. Po kështu, për standardet e dyfishta të gjyqësisë malazeze mund të dyshohet edhe në rastin e vendimit gjyqësor me të cilin prefekti i Plavës dhe bashkëpunëtorët e tij dënohen me 30 muaj burg (12 + 10 + 8), për shkak se, siç figuron në dispozitivin e aktgjykimit, e kanë dëmtuar shtetin për nja 12 mijë euro (ndonëse në letra figurojnë vetëm 2100 euro). Nëse edhe këtë rast e krahasojmë me rastet e ngjashme, kur janë akuzuar prefektët e komunave të tjera, nuk do të jetë e vështirëv të nxirret konkluzioni se është fjala për persekutim, që ngjason me atë nga fillimi i këtij teksti. Në fakt, me pasoja më të buta, por me të njëjtin qëllim: disiplinimin e të padëgjueshmëve, konspiracioni me qëllim të ruajtjes së pushtetit, duke neutralizuar të gjithë rivalet e mundshëm, e në të njëjtën kohë, pët të përfituar simpatitë e Perëndimit! Mbase, sikur vërtet të ishte fjala për kujdesin ndaj pronës shtetërore, në rast të tillë ka qenë e domosdoshme që dikush të merret edhe me “shitjen” e një pjese të oborrit të godinës në pronësi të Kryeqytetit, në Tuz, për çka disa herë e kam ngritur zërin si këshilltar në Kuvëndin e KU të Tuzit. Pastaj, sipas citimeve të mediave, Mugosha e ka dëmtuar buxhetin e Kryeqytetit 1.500.000 euro, duke liruar kompaninë “ Çelebiq “ nga taksat komunale, në të njëjtën mënyrë sikurse Shahmanoviqi, por në një shumë pothuajse një qind herë më të madhe. E pasojat?
Mirëpo, me gjithë faktet e tjera të shumta dhe të ngjashme, na ka mbetur fare pak hapësirë për të thënë se ne shqiptarët (me siguri edhe boshnjakët) jemi të pakënaqur. E them pak hapësirë, sepse ja që kemi nënkryetarin e Kuvëndit, ministra në Qeveri, ndihmësministra, një vargan njëri pran tjetrit, drejtora të shumtë në poste të ndryshme, dhe kjo është e gjitha. Këtu përfundon e gjithë meseleja dhe gjithë ndikimi i faktorit shqiptarë në Mal të Zi. Kolltukët tashmë janë ngrohur, kurse zotërinjtë tashmë kanë harruar përse janë ulur në to, kë përfaqësojnë, kush dhe përse i ka deleguar. Kjo i ngjan asaj përrallës mbi vezirin dhe elefantin : -Në një qytet, një vezir në vend të kalit mbante elefantin. Elefanti theu gjithsçka nëpër qytet dhe u shkaktoi dëme kolosale banorëve. Një ditë prej ditëve qytetarët u mblodhën dhe caktuan një njeri për të shkuar te veziri dhe për ta lutur që ta largojë elefantin. Dhe kështu u bë. Njeriu – përfaqësuesi i qytetarëve shkoi te veziri, ai e priti mirë, madje i përgatiti edhe dhurata, kurse në pyetjen se çka e kishte sjellur në pallatin e tij, përfaqësuesi i qytetarëve u përgjigj : “Vezir i dashur, ta dishë se na i ke lumtuaruar fëmijët me këtë elefant, prandaj erdha në emër të qytetarëve të të kërkoj, nëse ke mundësi, që ta sjellish eche një tjetër”! Dhe këtu është fundi i të gjitha përrallave! Edhe pse shembuj të tillë ka sa të duash, por për të mënçurit mjaft me kaq.
Teksti është publikuar në gjuhën serbe në të përditshmën “Dan”, kurse në gjuhën shqipe në të përjavshmen “Koha Javore”