Vazhdon pabarazia ndaj shqiptarëve në punësim të Administratës shtetërore në Mal të Zi

Nga Xheladin Zeneli

Qeveria e Malit të Zi në mbledhjen e saj muajin e kaluar (me 23 Mars 2017) ka aprovuar Raportin për Zhvillimin dhe Mbrotjen e të Drejtave të Popujve Pakicë dhe Bashkësive apo Pakicave të tjera Nacionale për Vitin 2016 .Në këte Raport, në mes tjerash bëhet fjalë edhe për përfaqësimin (punësimin) e popujve pakicë në organet e administratës shtetërore të Malit të Zi. Si model i përfaqësimit konkret merret organi i Drejtorisë Policore të Malit të Zi, me ç’rast janë pyetur 3.858 të punësuar lidhur me përkatësinë e tyre kombëtare , nga të cilët janë përgjigjur 3.377 të punësuar( apo 87.53% e tyre). Nga ky numër i të punësuarëve,sipas përkatësisë kombëtare, janë deklaruar: Malazez 2.803 ( 83.00%), Serb 223 ( 6.60%), Boshnjakë 172(5.09%), Muslimanë 84 ( 2.49%), Shqiptarë 45 ( 1.33%), Kroat 3 ( 0.09%), Romë 3 ( 0.09%) dhe të tjerë 5 (0.15%), kurse 39 prej tyre ( 1.15% ) nuk janë deklaruar sipas përkatësisë së tyre kombëtare.

Pra shqiptarët janë të përfaqësuar në këtë organ shtetëror vetëm me 45 të punësuar apo 1.33%, çka do të thotë një punësim shumë i ultë në krahasim me përqindjen e shqiptarëve në numrin e përgjithëshëm të popullsisë në Mal të Zi. Edhe në sektorët e tjerë të shërbimit publik ( shtetëror) gjendja nuk është aspak e favorshme.

Në të vertetë, të dhënat e fundit lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve janë konsistent me të dhënat e rreth dy dekadave të kaluara, çka do të thotë se për një kohë të gjatë niveli përfaqësues i shqiptarëve në organet e administratës shtetërore ka mbetur pothuajse i njëjtë dhe nuk ka pësuar përmirësim.

Në informatën e Ministrisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pjesëtarëve të Grupeve Nacionale dhe Etnike, e vitit 1999 shqiptarët ishin të përfaqësuar në organet dhe institucionet e administratës shtetërore me 1.12%. Kurse sipas të dhënave të vitit 2008 të Ombudsman-it ( Mbrojtësit i të Dtrejtave dhe Lirive të Njeriut) në Mal të Zi, me përjashtim të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, shqiptarët ishin të përfaqësuar në ministritë e tjera të qeverisë së Malit të Zi, mesatarisht, vetëm me 1.18%. Poashtu , në një anketë të Ministrisë së Pakicave të Malit të Zi,në vitin 2014 vetëm 1.8% e të anketuarëve me punësim në administratën shtetërore, u deklaruan me përkatësi shqiptare .

Rrjeti për Raportimin Hetues të Ballkanit (The Balkan Investigative Reporting Network, BIRN) në Shkurt të vitit 2015 shkruan se shqiptarët dhe popujt e tjerë jo malazez, ballafaqohen me “asimilim të dhunshëm”, pasi që shpeshëherë ndodh që disa prej tyre të deklarohen me përkatësi malazeze, me qëllim që të punësohen në sektorin e shërbimit publik (shtetëror).
Sipas Kushtetutës së Malit të Zi , Neni 79, pika 10, pjesëtarët e popujve pakicë, ku përfshihen edhe shqiptarët, u garantohet e drejta e përfaqësimit proporcional në organet e shërbimit publik, në oganet e qeverisjes shtetërore dhe atyre të vetëqeverisjes lokale. Por në realitet ndodh e kundërta. Shqiptarët vazhdojnë gjithënjë të kenë përfaqësim apo punësim të pabarabartë me malazezët në organet dhe institucionet shtetërore.

Sipas regjistrimeve të fundit zyrtare në Mal të Zi, shqiptarët përbëjnë rreth 5% të popullsisë kurse janë të përfaqësuar në organet shtetërore me 1.3%, kurse malazezët përbëjnë rreth 45% të popullsisë së përgjithëshme dhe janë të punësuar në administratën shtetërore me 83% (?!).

Pushteti dhe qeveria e Malit të Zi, janë të vetëdijshëm për mos përfaqësimin e duhur dhe proporcional të shqiptarëve, por deri me sot nuk kanë dëshmuar gatishmëri në përmirësimin e gjendjes në këtë aspekt.

Momentalisht, shqiptarët mbajnë dy pozita të rëndësishme në pushtetin e tanishëm: pozitën e nën kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi , pozitën e Ministrit për Drejtat e Njeriut dhe Popujve Pakicë dhe ndonjë pozitë tjetër me pak rëndësi, pozita këto të cilat janë si rezulltat i bashkëpunimit ( partneritetit) të partive shqiptare ( apo kualicionit) me partinë në pushtet, dhe shumë pak reflektojnë në ngritjen e nivelit të përgjithëshëm e të punësuarëve shqiptarë në organet e administratës shtetërore. Pra, edhe përkudër disa funksioneve që mbajnë shqiptarët në qeveri, niveli i përgjithëshëm i të punësuarve shqiptarë në administratën shtetërore vazhdon gjithënjë të mbetet simbolik dhe nën nivelin e përfaqësimit proporcional.

Ky përfaqësim i nivelit të ultë i shqiptarëve, nuk mund kategotizohet ndryshe veçse si diskriminim ndaj tyre. Ligji për ndalimin e diskriminimit, i aprovuar nga Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2013 , së paku në letër, ndalon çdo formë diskriminimi .Neni 2 i Ligjit në fjalë e definon diskriminimin si “…dallim të paarsyeshëm, juridik apo faktik, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë apo trajtimi i pabarabartë, gjegjësisht anashkalimi i trajtimit ndaj një personi, gjegjësisht, një grupi personash në raport me personat e tjerë, si dhe përjashtimi, kufizimi ose dhënia përparësi ndonjë personi në raport me personat e tjerë, që bazohet në racën…, përkatësinë nacionale, prejardhjen shoqërore apo etnike, lidhur me ndonjë popull pakicë ose bashkësi nacionale ….”.

Pra, sipas këtij definicioni, Mali i Zi i jep përparësi dhe favorizon pjesëtarët e popullit të vet, ( malazezët) në raport me pjesëtarët e përkatësisë së një populli tjetër (shqiptarët), kur bëhet fjalë për punësim në institucionet apo organet e administratës shtetërore.
Është e papranueshme që një shtet( pra, Mali i Zi) i cili është në prag të anëtarësimit në strukturat euro-atlantike, të mohojë një prej të drejtave fundamentale të shqiptarëve ,siç është punësimi i barabartë në organet e administratës së shërbimit publik dhe shtetëror dhe në këte aspekt nuk implemeton në praktikë dispozitat e veta kushtetuese dhe ligjore dhe në proces e sipër, aplikon diskriminim ndaj tyre.

 

24 Prill 2017