Peshëngritja i sjell Shqipërisë një tjetër triumf. Pas medaljes së bronztë të Briken Caljes të martën, sot Daniel Godelli është shpallur kampion i Evropës, ndërsa Erkand Qerimaj nënkampion në turneun që po zhvillohet në Split të Kroacisë.
Europiani i peshëngritjes ka sjellë medaljen e parë të artë për Shqipërinë me provën fantastike të Daniel Godellit që u shpall kampion kontinental në turneun që po zhvillohet në Split.
Sportisti kuqezi arriti të fitojë konkurrencën me shqiptarin tjetër të pedanës Erkand Qerimaj, duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit në shkëputje, ndërsa shkodrani u kënaq me medaljen e argjendtë në shtytje.
Askush nuk e priste në arenën e Splitit që pas dy tentativave të dështuara me 156 dhe 158 kilogramë, Godelli të ngrinte në provën e tretë peshën 161 kg. Gëzimi i ligjshëm i protagonistit kuqezi gjeti jehonë dhe mes tifozëve në Split.
Stili i shtytjes qe më i suksesshëm për Erkand Qerimajn, i cili doli i dyti. 28-vjeçari gaboi në dy ngritjet e para me 188 dhe 190 kg, por triumfoi në të tretën me 193.
Ndërsa Briken Calja fitoi medaljen e bronztë në stilin e shtytjes.