Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama, në vizitë në MZ – Injoron Tuzin-Malësinë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,  ishte  sot  në vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku u prit me nderimet më të larta shtetërore nga Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markovic.

Kryeministri shqiptar deklaroi se në Mal të Zi ndihet si në Shqipëri.

Bashkë  me Ramën ishte edhe ministri i Jashtëm  i Shqipërisë Ditmir Bushati.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve.

 Kryeministri shqiptar tha se ratifikimi i Protokollit të Mali të Zi nga Senati Amerikan është ngjarje historike, jo vetëm për Malin e Zi, por për të gjithë rajonin.
Rama pas takimit me homologun e tij malazez Dusko Markovic, u ka thënë gazetarëve se me anëtarësimi e Malit të Zi në NATO, e gjithë zona bregdetare Adriatik-Jon, do jetë zonë e NATO-s.

Kryeministri malazez Dusko Markovic, falënderoi Ramën për mbështetjen që po i bën Shqipëria Malit të Zi, në rrugën evroatlantike.

Ndër të tjera, Markovic ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptar në Malit të Zi në zhvillimin ekonomik të vendit dhe anëtarësimin e tij në NATO.

Rama ka vlerësuar qeverinë malazeze për përfshirjen e partive shqiptare në qeveri, si dhe mbështetjen që po i ban Qeveria , pushtetit vendor në komunat me shumicë shqiptare.

Në vijim të vizitës së tij në Mal të Zi, kryeministri Edi Rama është ndalur  edhe në Ulqin, ku është takuar me përfaqësues  të disa partive shqiptare dhe jo shqiptare në këtë vend.

Përmes një statusi në rrjetin social në Fb, Kryeminstri Rama ka thënë : “Në Ulqin me faktorët politikë shqiptarë të Malit të Zi, ku po bëhet një progres i madh hapash konkretë në të mirë të komunitetit shqiptar”.

Megjithatë, Kryeministri Rama edhë kësaj radhe neglizhoi Tuzin-Malësinë. Ai nuk ndali as për një vizitë të shkurtë për të takuar bashkëkombësit e vet edhe pse për të shkuar në Podgoricë, ai dhe delagacioni i tij kaluan nëpër Tuz. /MALESIA.ORG/