Vasel Sinishtaj: Gjykata Kushtetuese mund të anulojë ligjin përmes të cilit Tuzi fiton statusin e komunës

Funksionari i Iniciativës Qytetare Vasel Sinishtaj thotë se mund të pritet nisma në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e ligjit përmes të cilit Tuzi fiton statusin e komunës.

Ish deputeti Sinishtaj për malesia.org sqaroi se, “ajo që mund të pritet është pikërisht nisma e kujt të duash tek Gjykata Kushtetuese, ngase nga Ligji për Organizimin Territorial nuk e kanë fshi nenin i cili flet për nevojën e organizimit e referendumit.

Në anën tjetër kemi Zetën që ka sot të njëjtin status si Malësia e nesër mund të ngre dikush pyetjen e mos-barazisë para ligjit, dhe së fundi kah marsi apo prilli i 2018 kemi zgjedhjet lokale dhe presidenciale. Në ato lokale do votohet me të ashtuquajturën votë të dyfishtë, kryeqytet dhe komunë në kuadër të kryeqytetit, ndërsa zbatimi i ligjit thuhet se do shkoj nga shtatori i 2018. 90 ditë prej ditës së zbatimit Kryetari i shtetit duhet të shpallë zgjedhjet e reja për komunë të plotë e këta mendojnë se mund të kalojnë pa zgjedhje të reja për Podgoricën dhe ky do ti jepte përsëri mundësi një qytetari të rendomt për të iniciuar nismën tek Gjykata kushtetuese”, sqaron Sinishtaj.

Sinishtaj rikujton Ligjin për liritë dhe të drejtat e pakicave i cili u aprovua vetëm 20 ditë para referendumit për pavarësimin e Malit të Zi, por i cili më pas u anulua nga Gjykata Kushtetuese.

Njëzet ditë para referendumit për pavarësimin e shtetit, sjellën Ligjin për liritë dhe të drejtat e pakicave. Vetëm disa ditë pas pavarësimit, Gjykata Kushtetuese anuloi dy nenet më me rëndësi për ne shqiptarët. Në këtë moment vetëm dy gjyqtar kemi të pavarur, pesë të tjerët janë nën dirigjimin e DPS-së, ka thënë Sinishtaj.

Muajin e kaluar Qeveria ka aprovuar propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për organizim territorial, i cili parasheh që Tuzi të marrë statusin e komunës së plotë. Ky ligj duhet të votohet në Parlamentin e Malit të Zi deri më 31 maj 2017, ndërsa aplikimi i tij nga 1 shtatori i vitit 2018.
Sipas këtij projekt-ligji, komuna do të arrihet pa organizimin e referendumit dhe disa tjera procedurave të parapara me ligjin për organizimin territorial.

Ky projekt-ligj ka lindur si rezultat i marrëveshjes në mes të koalicionit “Shqiptarët të Vendosur” (Forca-UDSH-ASH) me DPS-në për formimin e pushtetit qendrorë.

Ditë më parë, nënkryetari i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj për portalin tonë kishte thënë se fjalët që Gjykata Kushtetuese mund të anulojë vendimin, janë vetëm manipulime.