Parlamenti i Malit të Zi sot do të fillojë seancën e re të rregullt, ndërsa në mesin e temave të propozuara janë edhe ndryshimet e plotësimet e ligjit për organizimin territorial të Malit të Zi me të cilin parashihet që Tuzi të jetë komunë e pavarur.
Ligji siç arsyetohet do të zbatohet prej 1 shtatorit të vitit 2018.
Për funksionimin pa pengesë të komunës së posaformuar parashihet formimi i këshillit organizativ.
Në këshill do të jenë nga 3 anëtar të komunës në të cilën ka ardhur deri tek ndryshimi territorial dhe të komunës së posaformuar dhe një perfaqësues resor i ministrisë.
Të përkujtojmë se me ligj precizohet afati për shpalljen e zgjedhjeve të para të kuvendit të komunës së posaformuar të cilat i shpall presidenti i Malit të Zi.
Sipas këtij projekt-ligji, komuna do të fitohet pa organizimin e referendumit, ndërsa neni i cili flet për nevojën e organizimit të referendumit në ligjin për organizimin territorial nuk është fshirë, çka dhe jep hapësirë ligjore që fitimi eventual i komunës të anulohet në Gjykatën Kushtetuese.
Këtë dyshim e kishte shprehur edhe këshilltari i Iniciativës Qytetare në Kuvendin e KU Tuz, Vasel Sinishtaj, i cili për portalin tonë ka thënë se “ajo që mund të pritet është pikërisht nisma e kujt të duash tek Gjykata Kushtetuese, ngase nga Ligji për Organizimin Territorial nuk e kanë fshi nenin i cili flet për nevojën e organizimit e referendumit”.
Ai rikujtoi Ligjin për liritë dhe të drejtat e pakicave i cili u aprovua vetëm 20 ditë para referendumit për pavarësimin e Malit të Zi, por i cili më pas u anulua nga Gjykata Kushtetuese. /MALESIA.ORG/