Ilir Meta është zgjedhur presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë, në raundin e katërt të votimit të mbajtur pasditen e kësaj të premteje në Parlamentin e Shqipërisë.
Meta ka marrë 87 vota pro dhe 2 kundër, edhe pse për zgjedhjen e tij mjaftonin 71.Për kandidaturën e Metës kishin hedhur firmat 23 deputetë, 17 nga LSI dhe 6 të tjerët nga PDIU.
Meta bëhet kështu presidenti i 8 i Republikës së Shqipërisë.
Në fjalimin e mbajtur në podiumin e sallës së Parlamentit, Meta pasi ka falenderuar të gjithë deputetët, përfshirë ata që votuan kundër dhe ata që munguan, ka premtuar se në detyrën e tij të re do t’i shërbejë demokracisë.
“Unë kam zgjedhur dhe do zgjedh gjithmonë demokracinë në raport me pushtetin. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë, unë kam patur mundësinë të jem këtu vetëm përmes demokracisë”, ka thënë Meta.
Ai ka ftuar të gjithë që “të mbrojmë standardet e demokracisë dhe t’i çojmë ato më tej, duke realizuar zgjedhje të standardeve më të larta e gjithëpërfshirëse, për të forcuar legjitimitetin e institucioneve dhe për të krijuar shanse për një atdhe më frymëzues për të gjithë të rinjtë”.
Ilir Meta lindi më 24 mars të vitit 1969 në Skrapar, Shqipëri, është politikan i njohur shqiptar, ish Kryeministër i Shqipërisë, aktualisht mbulonte funksionin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.