Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Art Club” në bashkëpunim me Shkollën Fillore “Xhafer Nikoçeviq” – Guci dhe Shkollën e Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” – Plavë organizoi të hënën, më 24 prill, dhe të martën, më 25 prill, takime letrare në këto dy shkolla, në kuadër të Karvanit të shkrimtarëve vendas. Në takimet letrare kanë marrë pjesë shkrimtarët Ibrahim Berjashi, Ali Gjeçbritaj, Hajredin Kovaçi, Hasnije Kukaj – Gjonbalaj, Havaja Prelvukaj dhe Anton Gjuravçaj (në Plavë), të cilët për nxënësit, mësimdhënësit, prindërit e pranishëm kanë lexuar pjesë nga krijimtaria e tyre. Ndërkaq nxënësit kanë recituar poezi nga poetët shqiptarë. Takimet letrare janë mbajtur me rastin e 23 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Librit.
Karvani i shkrimtarëve vendas është ideuar si vizitë e autorëve shqiptarë në Mal të Zi, të cilët janë pjesë e SHAI “Art Club”, dhe e autorëve të tjerë, në shkollat në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Ai ka për qëllim që nxënësit të njihen me shkrimtarët shqiptarë dhe letërsinë shqipe që krijohet në Mal të Zi, të komunikojnë drejtpërdrejt me autorët, të nxisë te nxënësit dëshirën për t’u marrë me krijimtarinë letrare etj.
Me këtë rast, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka dhuruar nga 50 kopje të botimeve të kësaj shoqate dhe autorëve që bëjnë pjesë në të për bibliotekat e Shkollës Fillore “Xhafer Nikoçeviq” – Guci dhe Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” – Plavë, si pjesë e aksionit për pasurimin e fondit të librave të bibliotekave të shkollave shqipe në Mal të Zi.
Ulqin, më 26. 04. 2017 SHAI “Art Club”