Gjeloshaj i bindur se do të fitohet Komuna dhe do të respektohet Marrëveshja me DPS-në

Nënkryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, në një intervistë për portalin tonë flet për Marrëveshjen e koalicionit “Shqiptarët e Vendosur” me DPS-në, rreth marrjes së statusit të Komunës së Tuzit me kompetenca të plota .

Lexoni intervistën e plotë:

Malesia.org: Marrëveshja e Koalicionit tuaj me DPS-në parasheh që Tuzi-Malësia të marrë statusin e Komunës me kompetenca të plota deri në muajin maj të vitit 2017. Ndërkaq, para disa ditëve Qeveria ka aprovuar ndryshime ligjore me çka Tuzi-Malësia fiton statusin e komunës, por që kjo do të implementohet nga shatori i vitit 2018.
Gjatë bisedimeve me DPS-në për krijimin e shumicës parlamentare, bartësi i listës tuaj Genci Nimanbegu kishte deklaruar që kushtet/kërkesat të cilat do të jenë në marrëveshje, do të kenë të precizuara afatet për realizimin e tyre.
A do të thotë kjo se nuk është duke u respektuar marrëveshja juaj me DPS-në?

Nik Gjeloshaj: Pika e parë dhe më e rëndësishmja e kërkesave politike të koalicionit “Shqiptarët e Vendosur”, ishte dhe mbetet Komuna e Tuzit. Poashtu në këtë pikë është definuar afati i aprovimit të ligjeve që definojnë Tuzin komunë të plotë. Implementimi i ligjeve poashtu është pjesë tjetër e një neni të posaçëm në ligjet e aprovuara. Deri në këto momente nuk ka mosrespektim të asaj që jemi dakorduar. Në çdo prononcim kemi cekur se implementimi do të bëhet në vitin 2018.

Malesia.org: Nëse Qeveria vërtet është e gatshme të plotësojë kërkesën e Komunës, pse duhet të pritet edhe 17 muaj? A fshihet diçka pas këtij vendimi dhe cila është arsyeja?

Nik Gjeloshaj: Për këtë çështje, gjatë bisedimeve kemi pasur dilema të shumta. Qëndrimi i ASH-së tash disa vite me radhë, për hirë të procedurave të njohura, ishte dhe mbeti që Tuzit t’i rikthehet statusi i komunës përmes ndryshimit të ligjit, në Parlament, pa Referendum.
Ne për këtë kemi pasur mbështetje të plotë nga anëtarët e koalicionit tonë, edhe për faktin se pala tjetër, pra pushteti insistonte në mbajtjen e referendumit dhe procedurave tjera që kanë ndjekur Gucia, Petnica etj. Njohësit e këtyre çështjeve e dijnë shumë mirë se procedurat në fjalë, duke filluar nga propozimi i deputetit në Parlament, punimi dhe dorëzimi i elaboratit ekonomik, dërgimi i këtij materiali nga Parlamenti në Qeveri, formimi i komisioneve për shqyrtim, organizimi i referendumit…etj procedura me siguri do të zgjasin edhe më gjatë sesa afati i paraparë me Marrëveshje.
Po këtu më duhet të përmend se ketu kemi disa ndryshime shumë kruciale. Njëra është se nga territori i Podgoricës hiqet territori i Malësisë, formohet komuna e re me territor të Malësisë. Kemi ndryshimin që me ndarje të Malësisë, në Podgoricë nuk ka nevojë të përsëriten zgjedhjet, që për njohës, dhe tashme edhe për qytetarë është e qartë se çka nënkupton kjo, dhe që neve nuk na luan rrol.
Njëkohësisht me ligje është definuar, se deri në shtator të 2018-tës, Malësia të funksionojë si Komunë e Kryeqytetit, jo komune urbane.
Ligji tjetër që ndryshohet është ai i Kryeqytetit, i cili e definon se nga 1 shtator 2018 Tuzi nuk është më Komunë e Kryeqytetit, pra merr statusin e komunës së plotë.

Malesia.org: A nënkupton kjo se formimi i komunës do të anashkaloj procedurat përkatëse ligjore për formimin e komunave të reja, dhe a mendoni se realizimi mund të hasë në pengesë, të trajtohet si kundër-ligjore dhe të pezullohet në Gjykatën Kushtetuese?

Nik Gjeloshaj: E kam ndegjuar edhe këtë si tjetër tentim për të manipuluar dhe me e trembë qytetarin, se disa nga kjo jetojnë tash 27 vjet. Gjykata Kushtetuese, edhe nga emri i vet tregon funksionin e vetë, të mbroj Kushtetutën, gjegjësisht të vlerësoj nëse një ligj është në përputhshmëri me KUSHTETUTË. Ata që lansojnë këto manipulime le të publikojnë se cili nen i Kushtetutës në propozim ligje nuk është respektuar, duke shpresuar se nuk do te bazohën ne Kushtetutën e vitit 1992, sepse jemi mësuar nga manipulatorët në këtë mënyrë të veprojnë.
Teza që Tuzi nuk i kalon procedurat si komunat tjera të definuara me ligje për vetëqeverisje lokale dhe se nuk është Kushtetuese është kulminacioni i mosdijes.

Malesia.org: Nimanbegu gjithashtu kishte thënë se nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhet në praninë e palës së tretë, palës ndërkombëtare e cila do të jetë aty si garant për respektimin e marrëveshjes. A kishte palë ndërkombëtare gjatë nënshkrimit të marrëveshjes?

Nik Gjeloshaj: Për njohës të proceseve politike, por edhe qytetari i thjesht shumë qartë e kupton, se pala e tretë prezente dhe publike ekziston vetëm në gjendje lufte. Pala e tretë në situatën tonë politike nënkuptonte angazhimin e miqve tonë, që në këtë mënyrë i ka dhënë atë shtysën dhe vulën kryesore Marrëveshjes që ne kemi nënshkruar.
Unë, po këtu dua të potencoj një fakt, të cilin edhe në mënyrë publike, nëpër mediume në Mal të Zi dhe më gjerë e kam thënë, se ne si Koalicion kemi pasur komunikime shumë intensive me përfaqësuesit e disa ambasadave të huaja, që me angazhimin e vet shumëvjeçar e kanë dëshmuar miqësinë me shqiptarët.

Malesia.org: Pra do të thotë se nuk kishte ndërmjetësues ndërkombëtare gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me DPS-në, ndërkaq, bartësi i listës tuaj, Nimanabegu e kishte përsëritur disa herë, edhe për portalin tonë, se nuk do të nënshkruajnë asnjë marrëveshje me DPS-në pa ndërmjetësues ndërkombëtare, i cili do të garantonte zbatimin e marrëveshjes. Ky veprim i Nimanbegut ishte mosdije apo manipulim?

Nik Gjeloshaj: Unë shumë qartë u përgjigja më lart, nuk e vlerësojë me asnjërën që Ju potenconi në pyetje. Pra, përherë është dëshmuar që përgatitja e terrenit për të realizuar diçka është më madhore, se formaliteti, në rastin konkret i nënshkrimit të Marrëveshjes.

Malesia.org: I besoni Qeverisë se do të respektoj ligjin që ka aprovuar për fitimin e statusit të Komunës në shtator të vitit 2018?

Nik Gjeloshaj: Gjithë këtyre viteve, pushteti ka luajtur me çështjen e komunës, e shumë çështje tjera për shqiptarët, për shumë aryse! Një nga ato me siguri është mosuniteti dhe mosnjohja e situatave të caktuara politike nga disa liderë të vjetruar shqiptarë.
Në përbërjen e parafundit të Parlamentit të MZ, në mënyrë të qartë dhe publike është kristalizua, qëndrimi im unik me deputetin Gencin Nimanbegu, si përfaqësues autentik të shqiptarëve. Ne votuam kundër 4 ligjeve që definonin Tuzin Komune të Kryeqytetit. Jo vetëm kaq, ne njoftuam partnerët ndërkombëtarë dhe shtetin amë se jemi kundër kësaj zgjedhje.
Hapi tjetër, që të tregohet edhe me qartë, ne dorëzuam ligjin në Parlament me të cilin Malësia definohej komune e plot, pa referendum.
Shfrytëzova një mundësi që ekziston në rregulloren mbi 25 vjet, ku definohet që në çdo seancë të re, një pikë e opozitës hynë me automatizëm në rend të ditës, dhe kështu për herë të parë në rend të ditës në Parlament ishte Komuna e plotë e Malësisë.
Ne vazhduam me lobime nga shteti amë deri në Washington që partia në pushtet të bindet për të përkrahur ligjin.
Nuk isha i kënaqur vetëm me procesuim në rend të ditës, duhej lobim që të bindej DPS të votoj, që të sigurojmë shumicën.
Poashtu me kerkesen time, zyrtarë të lartë të shtetit tonë amë, si dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, malësorët tonë në SHBA u angazhuan dhe shumë mirë dihet se çfarë u kishin premtuar pushtetarët e Malit të Zi për çështjen e komunës. Këto suportime nga jashtë dhe vendosmëria jonë mbas zgjedhjeve, rezultojnë që Malësia po fiton komunën e plotë, matematikë e thjesht dhe e qartë.
Sa i përket besimit, ose jo që kemi për Qeverinë, kjo shumë shpejt do të kristalizohet, afatet janë të qarta dhe konçize. Me aprovimin në parlament dhe publikim në gazetën zyrtare, mbi këtë nuk ka gjë tjetër që pengon aplikimin!

Malesia.org: Ky ligj duhet të kaloj përmes Parlamentit të Malit të Zi. Besoni se do të fitoj përkrahjen e shumicës së nevojshme? Rikujtojmë, vitin e kaluar, propozimi juaj për ndryshimin e ligjit përmes të cilit Malësia do të fitonte statusin e Komunës, nuk ishte përkrahur nga DPS-ja, me çrast ju deklaruar: “Nuk jam i befasuar në strukturat në pushtet, pra DPS-in, ata edhe këtë radhë, si shumë herë më parë gjendën mënyrën për të mashtruar edhe zyrtarë të lartë shqiptarë në vend e diasporë, si dhe kongresmen amerikan…”

Nik Gjeloshaj: Qeveria, këto ligje i aprovoj njëzëri. Të gjitha subjektet që përbejnë shumicën parlamentare, në Qeveri i kanë anëtarët e vet në qeveri. Në Parlament mbetet vetëm çështje formale.
Mali i Zi shumë shpejt do të bëhet anëtare e NATO-s. Në NATO është edhe Shqipëria. Ne jemi shumë të vendosur që këtë çështje ta çojmë deri në fund. Fokusimi i atyre që ia duan të mirën Malësisë, duhet të jetë që të jemi sa më afër njëri-tjetrit dhe ta implementojmë ligjin. Vetëm manipulatorët, sepse edhe laikët tashmë e dijnë se kjo ështe çështje e kryer.
Ashtu siç keni vërejtur edhe ditëve të fundit, edhe në të ardhmën deri në aplikimin e ligjeve do të kemi tendenca të koordinuara të atyre që ndër tjera u bajnë share edhe lajmeve të 1 prillit për çështjen e komunës… Ju e dini shumë mirë që kta po të njëjtit e shokët e tyre, ne jemi akuzuar si subjekt që “vetëm ASH e donë komunën”, kurse tjetri kinse nga subjekt i kundërt me të “ASH nuk është legjitime me vendos në emër të Malësisë me 300 vota” ,…por që nuk do të ia dalin me koordinimet e tyre…! Këtë shumë qartë e konfirmoi edhe dje kryeministri shqiptarë z.Edi Rama në Podgoricë por edhe në urimin që bëri për ditën e Ulqinit.

Malesia.org: Alternativa Shqiptare kishte refuzuar të nënshkruaj projektin e Komunës së Kryeqytetit, ndërsa ndër shkaqet e refuzimit ishte emri i Komunës. Nuk e pranuat që komuna të quhet Komuna e Kryeqytetit “Tuz
“ ndërsa kërkuat që emri i komunës të jetë “Tuz-Malësia”. Cili do të jetë emri zyrtar i komunës?

Nik Gjeloshaj: Në qeveri ligjet janë aprovuare duke përdorur emrin aktual të komunës.