Kadri Veseli rizgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës

 Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 62 vota për,  52 kundër dhe asnjë abstenime e zgjodhën Kadri Veselin, kryetar të Kuvendit të Kosovës.

 

Ky është mandati i dytë i Veselit si kryetar i legjislativit të Kosovës.

Deputetët po ashtu zgjodhën nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës. Nënkryetarë u zgjodhën: Xhavit Haliti nga PDK-ja, Aida Dërguti nga Vetëvendosje, Kujtim Shala nga LDK-Alternativa.

Veseli tha se nga dita e sotme nuk ka bllokadë institucionale dhe se i presin shumë punë përpara.

Seanca e sotme ku u zgjodh kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës, duke mundësuar dhe konstituimin e Kuvendit, u mbajt më 7 shtator në Ditën e Kushtetutës së Kaçanikut, raporton Ekonomia Online.

Veseli tha se kjo është një koincidencë e mirë .

“Koincidenca e 7 shtatorit është ditë historike për Kushtetutën e Kaçanikut. Por edhe konstituimi i Kuvendit tonë është një shenjë e mirë, sepse ne punojmë për të mirën e qytetarëve dhe të atdheut tonë që të mbrojmë atë që kemi arritur deri më tani, të respektohet vullneti qytetar dhe të kemi institucione që lidhen drejtpërsëdrejti me vendin tonë dhe integrimet euroatlantike”.

Veseli ka falënderuar të gjithë deputetët që sot e votuan, si nga pozita ashtu dhe nga opozita, sikur u shpreh ai.

“Nga dita e sotme nuk ka bllokadë institucionale. Kemi shume agjenda përpara nesh, të cilat lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve tanë…Nuk kemi kohë për të humbur, kam proceduar të presidenti i Kosovës propozimin për mandatarin tonë”, tha kryeparlamentari.

Kadri Veseli lindi më 31 maj 1967 në komunën e Mitrovicës. Veseli filloi studimet në vitin 1990 në Fakultetin e Agrikulturës.

 Veseli u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës në dhjetor të vitit 2014 dhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në maj të vitit 2016.

Kryetari i Kuvendit për pothuajse një dekadë ishte udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës.

Në ueb-faqen e PDK-së thuhet se ai gjithashtu ishte një nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në të njëjtën kohë, ka mbështetur në mënyrë aktive procesin e paqes në Rambuje. Në këtë proces, Veseli, ka shërbyer si Këshilltar i jashtëm në Delegacionin e Kosovës.