Përdorimi i gjuhës amtare në komunikimin privat dhe publik është njëra ndër të drejtat themelore të çdo personi dhe komuniteti. Kjo e drejtë garantohet me konventat ndërkombëtare, siç është Karta Evropiane për gjuhët rajonale ose minoritare, dhe me aktet ligjore të shteteve përkatëse.
Edhe Mali i Zi e ka të sanksionuar përdorimin e gjuhëve të pakicave. Në paragrafin 3 të nenit 13 të Kushtetutës së Malit të Zi përcaktohet se gjuha shqipe, e cila flitet nga pjesëtarët e popullatës autoktone shqiptare, është në përdorim zyrtar në këtë vend. Krahas kësaj, Ligji mbi të drejtat dhe liritë e popujve pakicë e sanksionon akoma më qartë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe. Në nenin 11 të këtij ligji thuhet shprehimisht: “Popujt pakicë dhe komunitetet e tjera të pakicave nacionale dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë të përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre.
Në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjesëtarët e popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale përbëjnë shumicën ose një numër të konsideruar të popullsisë, sipas rezultateve të regjistrimit të fundit, në përdorim zyrtar është edhe gjuha e këtyre popujve pakicë dhe komuniteteve të tjera të pakicave nacionale”.
Por në praktikë, përdorimi institucional i gjuhës shqipe në jetën publike nuk është jetësuar, as në institucionet dhe organet e qeverisjes vendore, në komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën ose përqindje të konsiderueshme të popullsisë. Rasti i fundit i ndodhur në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, ku seanca është ndërprerë për shkak se këshilltarëve nuk iu është dërguar materiali në gjuhën shqipe, por vetëm në atë malazeze, është treguesi më i mirë i përdorimit të gjuhës shqipe dhe i zbatimit të dygjuhësisë në këtë komunë, me shumicë shqiptare. Kjo nuk është një gjë e re, por përbën një rast të përsëritur, që tashmë është shndërruar në dukuri. Vetvetiu kuptohet se në komunat e tjera në Mal të Zi, ku jetojnë shqiptarët e ku ata përbëjnë pakicë, situata është edhe më keq.
E drejta dhe liria e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, domethënë zbatimi i dygjuhësisë, ka qenë një ndër kërkesat kryesore të shqiptarëve dhe subjekteve politike nacionale shqiptare në periudhën e pluralizmit politik në Mal të Zi. Prandaj është absurde dhe nuk mund ta kuptosh se si ka mundësi që gjuha shqipe nuk gjen zbatim të plotë në përdorimin zyrtar në Komunën e Ulqinit kur dihet mirë fakti se që nga fillimi i shumëpartiakësisë kjo komunë drejtohet nga partitë politike shqiptare. Madje, sipas njohësve të çështjes, në disa aspekte më mirë ka qenë situata sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin e kaluar njëpartiak sesa tani në demokraci.
Akoma më absurd është fakti se vetë zyrtarët dhe nëpunësit shqiptarë në Komunën e Ulqinit komunikojnë ndërmjet tyre zyrtarisht në gjuhën malazeze. Aq më keq që edhe në shkresat e dërguara Komunës së Ulqinit në gjuhën shqipe, kryesisht fiton përgjigje në gjuhën malazeze. Ka shumë arsye për këtë gjendje alarmante, një prej të cilave është fakti që, duam apo jo, duhet ta pranojmë se një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk mendojnë shqip dhe e kanë më të lehtë që të shprehen në gjuhën malazeze sesa shqip, sidomos ata që nuk e kanë kryer shkollimin në gjuhën shqipe, e aq më keq dinë ta shkruajnë gjuhën shqipe. Megjithatë, për këtë situatë nuk mund të gjendet kurrfarë arsyetimi dhe justifikimi nëse dihet se Komuna e Ulqinit ka shërbimin e përkthimit, ku janë të punësuar përkthyes për gjuhën shqipe.
Pyetja që shtrohet është se kush (ku) tjetër duhet ta zbatojë përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimin publik zyrtar nëse nuk zbatohet në ato institucione që drejtohen nga vetë shqiptarët? Apo vetë shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre kanë menduar se kjo kërkesë e tyre nënkupton zbatimin nga të tjerët?!
Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është tashmë një e drejtë e arritur e shqiptarëve në Mal të Zi, e cila duhet të jetësohet në të gjitha institucionet publike, në komunat ku jetojnë shqiptarët. Dygjuhësia kushton, por e drejta e përdorimit të gjuhës amtare në komunikimin publik zyrtar, krahas së drejtës së arsimimit dhe informimit në gjuhën amtare etj., përbën një nga të drejtat themelore të njeriut, që nuk mund të matet me para.
Prandaj, ata që nuk e respektojnë gjuhën e tyre, nuk respektojnë as vetveten. Si mund të presim që ta respektojnë të tjerët gjuhën shqipe, nëse nuk e respektojmë ne vetë? Nëpërkëmbja e gjuhës shqipe nga vetë ata që do të duhej ta mbronin, përbën një akt jokombëtar. Nuk ka mëkat më të madh sesa të nëpërkëmbësh gjuhën amtare (shqipe), për të cilën shumë atdhetarë kanë dhënë jetën gjatë historisë apo për të cilën, në kohën më të re, edhe janë burgosur e dënuar shumë shqiptarë në Mal të Zi dhe në trevat tjera të ish-Jugosllavisë.