Intervistë me muzikantin e njohur Samir Beqaj

Samiri u rrit me dashuri për muzikën dhe këngën. Sot vazhdon të njëjtin pasion.

MALESIA.ORG – Intervistën tonë do ta fillojmë si zakonisht. Do të kthehemi tek fëmijëria juaj…

Samir Beqaj –  Përshëndetje dhe ju faleminderit për intervistën!

Kam lindur në fshatin Dinoshë, ku edhe jetoj. Prej fëmijërisë kam një lidhje të ngushtë me vendin tim të lindjes dhe kurr nuk pata zemer ta lë dhe të largohem nga ai. Aty edhe fillova hapat e pare në karrierën time muzikore.

MALESIA.ORG – Kur filluat të merreni me muzikë dhe cili ishte hapi më i rëndësishëm drejt asaj që keni arritur sot?

Samir Beqaj –  Fillimi i mirë është gjysma e punës, kështu thotë një shprehje e urtë popullore. Por unë do të shtoja që, po nuk punove  fort që ta mbash e  ta zhvillosh atë që ke, atëherë fillimi i mire  kthehet në dështim.

Po kjo nuk ka një datë të saktë pasi ky është një pasion që lind dhe suksesi vjen me kohën dhe mbas shumë pune dhe angazhimi. Mund të them se muzika rritej me mua ose më mire unë rritesha me muzikën. Fillimet e mia lidhen me SHKA “KOHA” nga Dinosha ku kam filluar hapat e mije te pare në muzikë.

MALESIA.ORG – Ju kujtohet paraqitja e parë në skenë?

Samir Beqaj –  Paraqitja ime e parë në skenë ishte pikërisht në kuadër të aktiviteteve të SHKA “KOHA”  nga Dinosha, në vitin 1987 ku mbas shumë provash mbajtëm një koncert në oborrin e shkollës fillore në Dinoshë.

MALESIA.ORG – Cili është instrumenti që ju keni mësuar të luani më së pari?

Samir Beqaj –  Instrumenti me të cilin kam filluar karrierën time si muzikant është çiftelia, të cilën e mësova nga xhaxhai im i ndjerë Zeneli, i cili ishte një instrumentalist i mire dhe antarë i SHKA “KOHA”. Së bashku me të kemi marrë  pjesë në koncerte të shoqërisë. Mbas çiftelisë, kalova në fizarmonik dhe më në fund ju përkushtova tastierës – sintit me të cilin punoj edhe sot.

MALESIA.ORG – Na tregoni pak për bashkëpunimet dhe paraqitjet tuaja skenike?

Samir Beqaj –  Si muzikantë, mund të them se kam pas fat të bashkëpunoj me shumë artist dhe këngëtar të njohur të skenës shqiptare, duke filluar nga Nikollë Nikprelaj me të cilin bashkëpunoj që 10 vite. Gjithashtu kam bashkëpunuar dhe performuar live  me këngëtar si Shkurte Fejza, Ilir Shaqiri,  Sabri Fejzullahu, Mahmut Ferati, Gili, Yllka Kuqi, Shaban Gjekaj, Lori, Mimoza Shkodra, Smail Puraj, Aferdita Demaku, Malësori, Nora Rugova, Maria Lajçaj, Lekë Dedvukaj, Lindon Camaj, Viki Lulgjuraj, Jasmin Nikaj, Toni Ujkaj etj. Me shumë nga artistët e lartpërmendur bashkëpunoj edhe në studion time SB MUSIC,për të cilët kam kompozuar dhe orkestruar shumë këngë.

 MALESIA.ORG – Falë sukseseve tuaja Ju keni perfomuar brenda dhe jashtë vendit?

Samir Beqaj –  E vërtet. Gjatë punës time gati 20 vjeçare si muzicient kam marr pjesë në shumë koncerte, gazmende familjare, festivale, aktivitete tjera kulturore si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Mund të them se gjatë kësaj periudhe kam pas fat edhe të vizitoj disa vende evropiane si Zvicërr, Gjermani, Itali, Suedi, Danimark etj. Aktivitetet tona janë kryesisht të përqendruara në vendet e banuara me shqiptarë si në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, gjithashtu edhe këtu  në Malësi gjatë sezonit verorë si dhe në Ulqin me rrethinë. Dëshiroj të veçoj pjesëmarrjen time në festivalin mbarëkombëtar në Gjirokastër në vitin 2000 si instrumentalist.

MALESIA.ORG – Cilët janë këngëtarët e preferuar, shqiptarë dhe të huaj si dhe cilën muzikë e ndëgjoni?

Samir Beqaj –  I respektoj dhe i vlerësoj ata këngëtarë që kanë repertorin dhe identitetin e tyre dhe që ofrojnë vlera e jo anti-vlera. Mund të them se kam shumë këngëtar të preferuar të cilët i dëgjoj në kohë të lirë. Por sinqerisht unë preferoj më tepër muzikën tonë folklorike dhe popullore me të cilën edhe jam rritur.

 MALESIA.ORG – Kohën larg muzikës si e kaloni?

Samir Beqaj –  Përveç se merrem me muzikë unë jam jurist i diplomuar edhe  profesionalisht jam i punësuar në QKI “Malësia” në Tuz ashtu që shumë kohë kaloj aty, pak me shoqëri dhe sa më shumë që kam mundësi me familje që është gjëja më e shtrenjtë e njeriut.

MALESIA.ORG – Një mesazh për kolegët dhe këngëtarët…

Samir Beqaj –  Të jenë vetvetja, të punojnë shumë edhe ruajnë pastërtinë e muzikës tonë të bukur shqiptare. Dhe mos të dorëzohen sepse njeriu i fort i realizon të gjitha objektivat që i ven vetes në jetë.

Intervistoi: Albert Camaj –Malesia.Org