Lidhja Demokratike Shqiptare në kumtesën e sotme zbardhë qëndrimet e veta, lidhur me pohimet se nuk do të bashkëpunoj me subjketet e tjera poltike shqiptare. Në kumtesë ajo shprehet e qartë se është për bashkëpunim me të vetmin kusht që të arrihet koncenzus për çështjet prioritare për Malësinë.
Më poshtë lexoni kumtesën e plotë nga Lidhja Demokratike Shqiptare:
#guxim
Malësia e para në listë – i vetmi kusht për bisedime
Lidhja Demokratike Shqiptare, duke konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 26 nëntorit, për Kuvendin e Komunës së Tuzit, si komunë në kuadër të Kryeqytetit, shpreh gatishmëri për bisedime me subjektet e tjera shqiptare, me të vetmin kusht-që Malësia të jetë e para në listë. Ne, edhe në zgjedhjet e kaluara aspiruam bashkimin me këtë kusht, por pa sukses. Sot, nëse Malësinë vërtet e kemi prioritet, nuk guxojmë të mbetemi peng të raporteve të kaluara, e as të kalkulimeve të sotme. Pra, LDSH mbetet e përkushtuar kërkimit të rrugës më të favorshme që ka si objektiv që Tuzin ta administrojnë shqiptarët, dhe shpreson se do të lihen anash fjalët pa vend e veprimet sterile në terren, në mënyrë që kësaj çështje t’i qasemi me sinqeritetin dhe seriozitetin e merituar. Prandaj edhe presim që bisedimet të mbështetën mbi bazat e parimësisë dhe sidomos të dashamirësisë ndaj Malësisë. Sidomos kur dihet se këto zgjedhje paraqesin një rast të mirë për themelimin e një administrate të mirëfilltë, duke e bazuar në strukturën e popullsisë dhe në faktin se shqiptarët në këto troje janë popull autokton. LDSH, si subjekti më i fortë politik shqiptar në këtë trevë, shpreh vullnetin për t’u vënë në shërbim të arritjes së këtij objektivi të dëshiruar nga shumica shqiptare, prandaj përshëndet, përkrah e inkurajon çdo iniciativë për bisedime të sinqerta, pa spekulime, kalkulime, pa kushtëzime e paragjykime, por me synim të qartë për të arritur një konsensus sa më të gjerë, lidhur me çështje të cilat janë parësore për Malësinë, si: tejkalimi i ndasive, të cilësdo natyrë; organizmi i një fushate të sinqertë ndaj banorëve të Malësisë, me qëllim të rivënies së besimit, si garant i fitimit të përkrahjes maksimale të tyre; sigurimi i pozicionit që zhduk inferioritetin dhe neglizhencën ndaj pushtetit qendror; qëndrimi i përbashkët, të gjithë pushtet, ose të gjithë opozitë; zbatimi i përpiktë i Ligjit për komunën e plotë, në datën e paraparë, dhe angazhimi që në kuadër të sajë të hyjnë të gjitha trevat e Malësisë; balancimi i investimeve në infrastrukturë; kushtëzimi i pushtetit qendror me investime në objektet e parapara e të lëna pas dore me vite të tëra, si rrjeti rrugor, ujësjellësi në zonat malore, kopshti i fëmijëve, objektet e sportit, tregu i gjelbër etj., dhe nxitja e investimeve të reja; punësimi i një kuadri të ri, profesional dhe dashamirës ndaj Malësisë; marrja e përgjegjësisë, nga pala që do të udhëheq me procesin e zgjedhjeve, etj.
Marrëveshja e arritur të nënshkruhet në praninë e një pale të tretë, si garant i respektimit të sajë, në mënyrë që të mos i lëmë asgjë rastit, e që më vonë mund të bëhet “mollë sherri”. Këtë për arsye se edhe deri më tani kemi pasur raste kur nuk janë respektuar marrëveshjet.
Ne jemi në dispozicion që vendin, datën dhe kohën e takimit, ta caktojmë së bashku!
Me respekt,
LDSH