Shqipëria barazon 1-1 në Maqedoni

Një barazim të vyer ka mundur të rrëmbejë Shqipëria në fushën e vështirë të Strumicës ndaj maqedonasve, pavarësisht se ishin kuqezinjtë tanë që kaluan të parët në avantazh.

Pas një pjese të parë të dominuar nga Maqedonia, por që u mbyll me rrjeta të paprekura, u dëshën vetëm 8 minuta nga pjesa e dytë, që ata pak tifozë kuqezinj të pranishëm në stadiumin “Mladost” të kalonin në delirë, pas golit të Odise Roshit me kokë nga e djathta, i asistuar nga një kros perfekt i Sadikut nga e majta.

Edhe pse ishin maqedonasit ata që e kërkuan më shumë golin, pas avantazhit që do t’i mbyllte përfundimisht diskutimet për vendin e tretë në grup, pas Spanjës e Italisë, kombëtarja kuqezi u duk se u tërhoq në mbrojtje të rezultatit.

Futbollistët e maqedonisë, që nuk kishin më se çfarë të humbisnin, u hodhën në sulm duke rrezikuar disa herë portën kuqezi, por Berisha mbeti i pathyeshëm, deri në minutën e 77, kur një krosim nga e majta e maqedonasve përfundoi në dorën e Odise Roshit, edhe pse në mënyrë të pavullnetshme, por arbitri suedez Ericsson akordoi 11-metërsh për vendasit.

Nga penalltia, Trajkovski nuk gaboi, duke e hedhur në krah të kundërt portierin Berisha dhe duke barazuar shifrat në 1-1, rezultat me të cilin mbyllet krejt takimi. Minutat e fundit ishin drithëruese për kuqezinjtë, që mbrojtën me të gjitha forcat rezultatin, që gjithsesi konsiderohet pozitiv, pasi në një fushatë kaq të vështirë kualifikuesesh, arrijmë të mbajmë vendin e tretë në grup.

Në ndeshjet e tjera të grupit tonë, Spanja shpartalloi 8-0 Lihtenshtajnin, ndërsa Italia mundi minimalisht 1-0 Izraelin. Iberikët kryesojnë grupin me 22 pikë, 3 më shumë sesa Italia, ndërsa Shqipëria është në kuotën e 13 pikëve, 4 më shumë se Izraeli me 9 pikë në vendin e 4-t. Ndjekin Maqedonia me 7 pikë dhe Lihtenshtajni me 0.

/ Top Channel