Kalaj: Mësimi në shqip, por përparësi punësimi kanë ata që nuk e njohin këtë gjuhë

Nga Teuta Kalaj, Master e gjuhës italiane

Kam menduar se s’do kem nevojë të shkruaj një reagim publik, duke pasur parasysh se ekzistojnë institucionet dhe ligjet pozitive që i mbrojnë nxënësit dhe mësimdhënësit nga sjellja e pandërgjegjshme e disa prej udhëheqësve të shkollave në gjuhën shqipe ose nga ata që marrin vendime për kuadrin arsimor, por nga përvoja e vazhdueshme negative kam vendosur të reagoj publikisht.

Unë, Teuta Kalaj, me profesion master e gjuhës italiane, reagoj sepse vazhdimisht më mohohet e drejta për punësim në Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz, duke u dhënë përparësi punësimi atyre që nuk e dinë gjuhën shqipe, edhe pse mësimi zhvillohet në paralele me mësim në këtë gjuhë. Duhet thënë se ky problem vazhdon tash disa vjet me radhë, gjegjësisht qysh me dhënien e vendimeve personave që nuk e dinë gjuhën shqipe, në paralele ku mësimi zhvillohet në këtë gjuhë. Vendimet e këtilla janë joligjore, sepse sipas Ligjit të përgjithshëm për arsim, Ligjit për arsimin fillor, por edhe Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave, në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën e pakicës mësimdhënësit duhet ta njohin gjuhën pakicës përkatëse, në këtë rast gjuhën shqipe, gjë që nuk është rast me disa mësimdhënës që e zhvillojnë gjuhë italiane, por edhe disa lëndë tjera në këtë shkollë. Këtë duhet ta dinë nxënësit dhe prindërit, të cilët mund të kërkojnë llogari nga udhëheqësit e shkollës, por edhe nga Ministria e arsimit, në mënyrë që të mundësohet zbatimi i ligjeve të lartpërmendura. Kur them se më mohohet e drejta që të punësohem në këtë shkollë, deklaroj se në këtë institucion ajo më është mohuar në disa raste, por rasti më tipik është në vitin shkollor 2015/2016, kur shpallet konkursi për arsimtar të gjuhës italiane, me kusht që mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, kusht që ndërrohet vetëm një javë më vonë, në kundërshtim me procedurën administrative, por edhe në kundërshtim me ligjet e arsimit, vetëm e vetëm që të mos pranohem unë dhe të pranohet dikush tjetër, që nuk e plotëson kushtin e gjuhës shqipe. Pas ankesës në Ministrinë përkatëse, lidhur me këtë padrejtësi që më është bërë, më është premtuar se kjo çështje do të zgjidhet në favorin tim. Në këtë resor ndërkohë ka pasur ndryshime kuadrovike, prandaj kam kërkuar sërish takim me kompetentët, por nuk kam marrë përgjigje dhe çështja ka mbetur e pazgjidhur.

Diskriminimi vazhdon!

Edhe pse vitin e kaluar shkollor 2016/2017 isha e angazhuar në zhvillimin e mësimit si zëvendësim, në këtë fillim-viti mësimi i italishtes në paralelet ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe prapë i është besuar një arsimtareje, e cila nuk e njeh këtë gjuhë, përkundër faktit se në fund të vitit shkollor administratës së shkollës i kam paraqitur interesim me shkrim se jam në dispozicion që të vazhdoj angazhimin tim në këtë shkollë. Sot në Shkollën Fillore ,,Mahmut Lekiq’’ në Tuz, në të cilën shumica e nxënësve e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe, janë të angazhuara tri mësimdhënëse, të cilat nuk e plotësojnë kushtin e lartpërmendur, ndërkohë që mua më janë ofruar katër orë të lira me të cilat, si e kanë zakon, kanë dashur të më heshtin, por tashmë heshtjes i ka ardhur fundi, pasi nuk shoh se ka dhënë rezultat qasja ime e deritashme. Dua t’i them mjaftë diskriminimit nga njerëz që nuk e njohin arsimin ose ligjet e arsimit, apo ndoshta edhe i njohin, por nuk duan t’ia dinë për to, pasi bazë për punësim kanë ndonjë përkatësi, ku ta dijë unë se cilën. Le të na e tregojnë se ndoshta, përsëris ndoshta bëhemi edhe ne kameleonë, të tillë siç janë ata, dhe siç dëshirojnë të më shohin edhe mua. Dikush mund të mendojë se ky vlerësim është subjektiv, pasi unë jam e interesuar për një vend pune, por unë nuk jam e vetmja. Kjo mund të vërtetohet vetëm përmes një ankete të thjeshtë me nxënësit të cilëve, me vite të tëra, u mohohet e drejta e përcjelljes së lëndëve të caktuara në gjuhën shqipe, duke u shkaktuar barriera të mëdha në përvetësimin e mësimit. Vlerësoj se trajtimi i këtillë i fëmijëve dhe i punëtorëve është abuzim direkt me të drejtat e parapara me Kushtetutë dhe me ligjet pozitive në Malin e Zi, gjë që mund të marrë fund përmes angazhimit të funksionarëve shtetërorë dhe lokalë, përfaqësuesve politik, por edhe të prindërve të fëmijëve që e ndjekin mësimin në këtë shkollë. Sido që të jetë, mund të them se nuk do e ndal angazhimin tim për realizimin e te drejtave që më takojnë mua dhe, mbi të gjitha, fëmijëve të mi, edhe nëse nuk do e kam përkrahjen e atyre, të cilëve u është besuar puna për të drejtuar institucionet e arsimit, por edhe institucionet e tjera.

Tuz, më 9.9.2017