Shkolla Fillore në Tuz – Shkelen të drejtat e nxënësve shqiptar, prindërit paralajmërojnë bojkot!

SHKOLLA FILLORE “MAHMUT LEKIQ”, NË TUZ
KËSHILLI I PRINDËRVE

Për shkak të disa kërkesave të pasuksesshme dërguar drejtorisë së shkollës dhe Ministrisë së arsimit, që për zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe të angazhohen mësimdhënës që i plotësojnë kushtet ligjore, ne përfaqësuesit e Këshillit të prindërve të kësaj shkolle paralajmërojnë bojkotin e mësimit derisa të respektohen Kushtetuta dhe ligjet e arsimit në Mal të Zi.

Duke pasur parasysh nenin 18 të Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e njeriut dhe pakicave, nenin 101, alineja 3 të Ligjit të përgjithshëm të arsimit, si dhe të nenin 78 të Ligjit mbi arsimin dhe edukimin themelor, ne nuk kërkojmë asgjë tjetër vetëm të respektohet këto ligje, sipas të cilave fëmijëve tanë u garantohet e drejta për ta vijuar mësimin në gjuhë amtare.

Duhet theksuar se ky problem po përsëritet me vite të tëra, gjegjësisht që nga atëherë kur vendimet për punësim disa arsimtarëve, që nuk njohin gjuhën shqipe, u janë dhënë në mënyrë të paligjshme nga institucionet gjegjëse . Këshilli i prindërve të kësaj shkolle më 21. 10. 2015 i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së arsimin për zgjidhjen e problemeve të lartpërmendura, kur kemi marrë edhe përgjigjen nga drejtori i Drejtorisë për arsimimin e pakicave, Marash Dukaj, në të cilën është paralajmëruar zgjidhja e kësaj çështjeje, mirëpo që atëherë e deri tani nuk është bërë asgjë, përkundrazi problemi vetëm se është rënduar duke punësuar persona tjerë në kundërshtim me ligjin. Si pasoj e kësaj, ndjekja e mësimit nga fëmijët me mësim në gjuhës shqipe është vështirësuar aq shumë sa disa lëndë janë bërë “gogol” për ta. Falë këtij realiteti të hidhur, Këshilli i prindërve , më 07. 09 të këtij viti i është drejtuar Ministrisë së Arsimit me një kërkesë të re, në mënyrë që ky problem të zgjidhet urgjentisht.

Një dit më vonë është mbajtura mbledhja e Këshillit të prindërve ku morën pjesë nënkryetari i Parlamentit e kryetar e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Z. Genci Nimanbegu, drejtori i Drejtorisë për arsimimin e pakicave, Marash Dukaj, si dhe drejtori i SHF“Mahmut Lekiq“, Nikollë Dukaj, njëzëri kemi vendosur që, nëse urgjentisht nuk zgjidhet ky problem deri më 11.9. 2017, menjëherë të fillojmë bojkotin e mësimit. Në ndërkohë, gojarisht jemi njoftuar nga drejtori i Drejtorisë për arsimin e pakicave dhe drejtori i shkollës, Marash e Nikollë Dukaj, se kërkesa jonë ka fituar përgjigje negative. Prandaj, për shkak të kësaj mospërfilljeje dhe neglizhence nga ana e institucioneve kompetente, të cilat me vite të tëra po luajnë me fatin e fëmije dhe kuadrove tona, jemi të detyruar dhe të vendosur të organizojmë bojkotin e mësimit derisa të mos zbatohen ligjet në fjalë. Poashtu jemi të vendosur që të gjitha padrejtësitë dhe shkeljet e normave juridike që i bëhen arsimit shqip në Shkollën fillore “Mahmut Lekiq”, në Tuz, t’i zgjidhim përmes rrugës gjyqësore.

Tuz, më 11.09.2017
Me nderime,
Këshilli i prindërve të IPSHF ”Mahmut Lekiq”, Tuz
Kryetar
RAKO CAMAJ
Tel:069777669
Doda Lulgjuraj
Tel:069078585