Shembja e kullës së Prek Calit, Tom Doshi: Do ta rindërtojmë

Prisha e një ndërtimi në vendin e njohur si kulla e patriotit  Prek Cali në Vermosh ka ngjallur debate politike, por dhe reagimin e banorëve.  Bashkia  thotë se prishi një ndërtim pa leje. Çështja duhet të mos politizohet dhe që të mos përdoren figurat historike për qëllime të tilla.

Por për banorët, shembja është një vrasje e dytë e Prek Calit.

“Na e pushkatuan për së dyti”, thotë një prej banorëve.

“Sali Berisha duhet të kishte bërë më shumë, duhet ta kishte ndërtuar, as Enver Hoxha se rrëzoi”, thotë një tjetër banor.

“Këta që e vranë, këta ia shembën. I bëj thirrje popullit të Vermoshit të mblidhet këtu. Këtë ndërtesë e kanë borxh si demokratë ashtu dhe socialistë”, tha një tjetër banor.

Duke folur nga Vermoshi, si kushëri i Prek Calit dhe deputet, Tom Doshi tha se kulla që do të bëhej shtëpi-muze me ndihmën e komunitetit shqiptaro-amerikan, do të rindërtohet.

“Po në këtë vend do të rindërtojmë kullën me tre kate të Prek Calit, do i vendoset busti para shtëpisë dhe jemi në rrugë të mbarë për t’i gjetur eshtrat. Kësaj figure do i bëhen të gjitha nderimet”, tha Tom Doshi.

Pas reagimeve të opozitës,  gjatë së shtunës Kryeministri Rama mohoi në mënyrë absolute përfshirjen e qeverisë në këtë ngjarje.

Prek Cali është pushkatuar në Shkodër më 25 mars të vitit 1945 pas një gjyqi komunist. I shpallur heroi i kombit pas vitit 1992, a i konsiderohet jo vetëm simbol i luftës kundër synimeve ekspansioniste të fqinjëve sllave, por dhe i qëndresës anti-komuniste. / Top Channel/

Tags: