Të nderuar Malësorë, dashamirë të Malësisë,
Në këtë moment historik për vendlindjen tonë, Malësinë, ku koha nuk pret dhe duhet të veprohet me dijeni dhe guxim, unë si aktor politik i 2 zgjedhjeve të fundit, si këshilltar i përbërjes së fundit të Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit, jap DORËHEQJE nga subjekti politik ku u kyça që në moshen 20 vjeçare (viti 2010)!
Për të mos dashur të thelloj perçarjet më tepër brenda strukturave Shqiptare që veprojnë në Malësi, e as të zgjoj polemika të reja, unë dua t’ua bëj të ditura vetëm 2 nga arsyet kyçe të këtij vendimi personal:
1. Mosrespektimi i premtimeve brendapartiake dhe defaktorizimi im, si aktor politik brenda grupit (subjektit në formim e sipër, LDSH-së), ku vendimet merren nga një individ, dhe çdo këshillim i një të riu është i tepërt. Ku grupet punuese dhe organet vendimmarrëse janë të paracaktuara, në menyrë që të realizohen planet e individit, e asnjëherë të grupit, e le më interesin e Malësisë.
2. Arsyeja e dytë dhe kyçe është, liria e shprehjes dhe e ndikimit në unifikimin e partive politike shqiptare, me njerëz të paprekur nga lloqi politik, pazaret e hapura, si dhe ato të fshehura në dëm të Malësisë. Ju paralajmëroj, se as unë, e asnjë i ri, asnjë dashamirë i vendit nuk e duam scenarion e Ulqinit, e as nuk duam të mbesim opozitë!
Prandaj, porosia ime perfundimtare është, ose bashkim i partive nacionale Shqiptare në Malësi, të bazuar në realizimin e çeshtjeve parimore, si dhe në realizimin e planeve ekonomike, të investimit në vendin ku jetojmë, sigurimit të punës të kuadrove tona etj…, ose vazhdim i agonisë shekullore, dhe bërja Zot shtëpie e një pakice Boshnjake në vendlindjen tonë.
-Ju, çfarë zgjedhni?!
Duke përkrahur thirrjen që z. Anton Lulgjuraj e bëri 2 ditë më parë për bashkim, dhe formimin e një liste të vetme Shqiptare dykonfesionale në Malësi, me të rinjët e inkuadruar në politikë dhe intelektualët e rinj që Malësinë e kanë para së gjithash, dhe nuk kanë konto të hapura as me njëri tjetrin, e aq më pak borxhe ndaj pushtetit aktual, edhe unë bëj thirrje që të dalim me një listë unike, të reformuar! Kjo, si menyrë e vetme e marrjes së pushtetit në komunën e re në kuadër të Kryeqytetit!
Pas distancimit tim nga subjekti, ku deri më sot bëja pjesë, unë si individ nuk i mbylli dyert e bashkëpunimit të mëtejshëm me kolegët e deritanishëm, perkundër mendoj se në këtë situatë mund të jap kontribut më të madh për vendin si individ i pavarur politikisht!
-Unë jam gati të bëj sakrifica për të ardhmen e Malësisë, po ju të dashur kolegë?!
Me respekt,
Prëla Ujkaj