JUNÇAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDËRBEU – SIMBOL I SHQIPTARËVE

Nga Mark Junçaj, Profesor i Historisë  Nuk është hera e parë, e besoj as e fundit, që disa pseudoshqiptarë i sulmojnë figurat më të ndritura kombëtare. Shumë është interesante se sulmohet figura kryesore, kryeheroji, Gjergj Kastrioti-Skendërbeu. Ditëve të fundit degjuam se, përpos tjerash, e quajtën edhe mercenar venedikas?! Po ata që e thirren kështu, më së pari a e kuptojnë fare se çka do të thotë fjala mercenar?

    Fjala mercenar rrjedh nga fjala latine mercennarius që në shqip nënkupton i punësuar dhe ka fituar kuptimin e personit që është punësuar të luftoj apo më mirë të themi ushtar i paguar që lufton në kuadër të një ushtrie të huaj. Pra, sipas disa pseudoshqiptarëve Skendërbeu paska qenë luftëtar me pagesë, i cili paska pas luftuar për Republikën e Venedikut?! Këta zotëri do të duhej të shfaqin argumente dhe jo të flasin sikur janë duke folur ndonjë përrallë sikurse ato të Nastradinit dikur. Njeriu kur flet, sidomos për personalitete me famë botërore, do të duhej të mendoj mirë, të përdor një logjikë të shëndoshtë dhe, informacionet që i jep, t’i mbështes në burimet e kohës.

     Nëse Skenderbeu ka luftua për të holla, e kan me borxh që të na japin edhe shumën e të hollave që i ka marrë si mercenar i Venedikut. Por, pyetja është: ku ta marrin këtë informacion?

     Përgjigja është askund. A e dinë këta zotëri se në muajin nëntor të viti 1447 Skendërbeu do t’i shpall luftë Republikës së Venedikut dhe do të luftoj kundër kësaj republike duke i sulmuar pronat e tyre në Shqipëri. Kjo luftë arbëroro-venedikase do të zgjas gati një vit, gjatë së cilës kohë disa herë do të dalin fitues arbëroret nën drejtimin e Skendërbeut. Sa për dijeni të këtyre zotërinjve, gjatë kësaj lufte Venediku do të kërkoj ndihmën e Perandorisë Osmane, e cila do t’i vinë në ndihmë gjatë verës së vitit 1448 duke e detyruar Skendërbeun që njëkohësisht të luftoj kundër dy fuqive: Republikës së Venedikut dhe Perandorisë Osmane. Kjo luftë do të përfundoj me tërheqjen e ushtrisë osmane nga Arbëria, për shkak të ardhjes sa hungarezëve në Ballkan, dhe për shkak se Venediku nënshkroi paqë me Skendërbeun më 4 tetor 1448.

    Një informacion tjetër interesant është se Republika e Venedikut gjatë kësaj lufte dhe disa vite mbas do të paguaj një shumë të madhe të hollash (100 dukatë në vit) për at person apo grup personash që do t’i sjellin kryet e Skendërbeut.
Atëherë, pas kësaj historie të shkurtër, shtrohet pyetja se si mundet ,,mercenari i Venedikut” të luftoj kundër ushtrisë venedikase? Si mundet Venediku të paguaj për eliminimin e ,,mercenarit të vet”? Besoj se pas këtyre fakteve historike, as përrallëshkruesit më të mirë botëror nuk do të mund ta gjejnë një lidhje dhe të përgjigjen në pyetjet e parashtruara. Nga kjo e shohim se disa pseudoshqiptar shpikin mashtrime të paqendrueshme dhe në këtë mënyrë mundohen të hellin baltë mbi figurat dhe ngjarjet më madhështore të historisë sonë kombëtare. Këta pseudoshqiptar janë duke vepruar në favor të armiqve të kombit shqiptar, të cilët duan të na zhveshin nga e kaluara jonë dhe nga figurat tona kombëtare, duke treguar se jemi një popull pa histori që ka ardhur në Ballkan më vonë se popujt tjerë dhe duke mos na e pranuar autoktoninë tonë pellazgo-ilire.

    Mirëpo, një gjë të gjithë se dimë se Skendërbeu është simbol i shqiptarëve kudo janë, i atyre shqiptarëve që e ndjejnë vehten me të vertetë shqiptarë dhe jo i atyre gjakshprishurve që punojnë për agjenturat e ndryshme antishqiptare. Skendërbeu është dhe do të mbetet simbol i shqiptarëve, sepse flamuri kombëtar shqiptar është flamuri i familjes Kastrioti dhe nëse sulmohet Skendërbeu është sulmuar simboli kombëtar, çka na bën me dije se nëse këta pseudoshqiptar do të vazhdojnë me këso sulmesh, do të vinë koha kur do të kërkojnë edhe ndryshimin e simboleve se nuk mund ti pranojnë për simbole kombëtare simbolet e ,,mercenarit venedikas”. Nëse dikush e merr të drejtën t’i kritikoj figurat kombëtare, bile në prag të vitit 2018, që për nder të 550 vjetorit të vdekjes është shpallur viti i Skenderbeut, së pari le të jap një kontribut më të çmuar për kombin dhe atëherë le të urdhëroj të kritikoj, por ama të jenë kritikat e mbështetura në argumente dhe jo gënjeshtra, se për ndryshe ne e dimë kush i kritikon heronjtë, ai që mendon zi dhe nuk është i zoti të jap asnjë kontribut dhe atij apo atyre do tu ngjitet veç një emër pseudoshqiptar apo tradhëtar të kombit shqiptar.