Nga Qani Osmani
Propaganda dhe agjitimi janë aktivitete të domosdoshme për partitë politike ne periudhën parazgjedhore. Nga këto në një përqindje të madhe varet suksesi ose mossuksesi eventual i partisë gjatë zgjedhjeve. Propaganda nuk është dukuri që manifestohet vetëm gjatë zgjedhjeve ose në periudhën parazgjedhore. Ajo është pjesë përbërëse e aktiviteteve të partive serioze gjatë tërë kohës së funksionimit të tyre. Propaganda në përgjithësi, por edhe propaganda partiake nuk has në arsyeshmëri të plot nga një pjesë e sociologëve dhe psikologëve, të cilët tërheqin vërejtjen se ajo shërben si mjet për “manipulim me njerëzit”. Grupi tjetër bën dallim ndërmjet propagandës së “mir” dhe të “keqe” varësisht nga qëllimet që duhet të realizohen. Zakonisht dallohet propaganda e “zezë” me ç’rast propaganduesi i fsheh qëllimet e vërteta ose i prezenton në mënyrë të rejshme, dhe propaganda e “bardhë” e cila paraqitet në mënyrë transparente dhe haptazi i shpreh qëllimet që tenton t’i realizoj.
Forma e zhvillimit të propagandës dallon te partitë e “pozitës” dhe “opozitës”. Opozita gjatë veprimit të saj i ndjek të gjitha gabimet dhe lëshimet e pozitës dhe të njejtat mundohet t’i prezentojë para opinionit me qëllim që të përfitoj sa më shumë për vete. Megjithatë. Opozita me veprimin e saj mund të luajë edhe rol destruktiv, sidomos në shtetet pa përvojë pluralo-partiake dhe me përbërje heterogjene kombëtare, konfesionale dhe kulturore si është rasti konkret në Malin e Zi. Pa fushatë cilësore zgjedhore vështirë është partitë të llogarisin në ndonjë sukses më të madh, përveç rasteve të veçanta kur supozohet se nga rezultatet zgjedhore varet statusi shoqëror i mëtejshëm i një kombi ose pjesë të tij. Si shembull konkret mund të merren zgjedhjet e para pluraliste në Mal të Zi ku LD në MZ-zi që veten paraprakisht e shpalli “shpëtimtare të kombit”, e pati përkrahjen e plotë të trupit zgjedhor shqiptar.
Propaganda zgjedhore zakonisht synon promovimin e partive politike, ideve, programeve dhe kandidatëve të mundshëm. Nëpërmjet saj mobilizohen dhe përgatitet opinioni publik për pëcaktimin eventual politik. Megjithatë, tradicionalisht në shoqëritë pluralo-partiake beteja zhvillohet për dy kategori të zgjedhësve, të cilat janë mjaftë të shprehura numerikisht. Kategoria e parë janë ithtarët labilë të partisë të cilët kanë çdoherë qëndrim kritik ndaj aktivitetit partiak dhe kandidatëve të mundshëm për funksone të caktuara. Në grupin e dytë në parim bëjnë pjesë zgjedhësit që nuk e shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe janë plotësisht të painteresuar për garat dhe ndodhitë politike.
Kategoritë e sipërpërmendura të zgjedhësve zakonisht janë objekt kryesor i agjitimit të partive në fushatën parazgjedhore. Prandaj thuhet se agjitimi paraqet aktivitet qëndror te partitë bashkëkohore. Agjitimi është aktivitet gojor ose i shkruar që ka për qëllim përvetësimin e njerëzve për qëllime të caktuara. Me agjitim zakonisht nënkuptohet propaganda politike, që më shum vjen në shprehje gjatë fushatës zgjedhore. Propaganda dhe agjitimi si pjesë përbërëse të aktivitetit të çdo partie politike që pretendon ta marrë pushtetin shtetëror. tërësisht ose pjesërisht, dallon prej vendi në vend, prej partie në parti. Emëruesi i përbashkët i propagandës dhe agjitimit si dukuri është ajo se nëpërmjet aktiviteteve legale partitë politike insistojnë që t’i përfitojnë për vete qytetarët me të drejtë vote.
Kur janë në pyetje partitë politike shqiptare në Mal të Zi, gjatë këtyre viteve të funksionimit të sistemit shumëpartik vlenë të përmendet se shumë pak kanë mbajtë llogari për ngritjen e nivelit të kulturës politike, e cila drejtpërsëdrejti korespondon me vetëdijen politike të masave të gjëra te popullatës shqiptare në Mal të Zi, që ka të bëjë edhe me shfrytëzimin e të drejtës së votës dhe përcaktimin politik gjatë zgjedhjeve, qofshin ato vendore, qëndrore apo presidenciale.
Emancipimi i trupit votues jam i mendimit duhet të jetë çështje parësore e partive politike shqiptare në Mal të Zi. Ajo është punë e lodhshme, por zakonisht jep rezultate afatgjate. Do të thoja, të përhershme. Partitë politike shqiptare duhet ta ken
ë të qartë se relativizimi dhe nënçmimi i trupit votues është karakteristik e veprimit makiavelist, pasojat negative të të cilit dalin në shesh më herët ose ma vonë dhe zakonisht është shumë vështirë të eliminohen. Krijimi i bindjes te votuesit shqiptar se vota e tyre nuk ka kurrfarë domethënie për partitë politike shqiptare dhe se ajo mund të dhunohet dhe devalvohet sipas dëshirës dhe nevojës, çon drejt apatisë,mllefit dhe revanshizmit, dukuri të cilat krijohen shumë shpejtë, por nuk mund të eliminohen një kohë shumë të gjatë.
Partive politike shqiptare në Mal të Zi, kushtet dhe rrethanat ekzistuese ende nuk ua kanë imponuar krijimin e strukturave të cilat poshtë apo lart do të ishin specializuar për fushatë dhe agjitim, por një nevojë e tillë do të paraqitet shumë shpejtë nga shkaku se dita më ditë vjen duke u harxhuar “koncepti kombëtar” i organizimit politik dhe fushatat zgjedhore që korrespondojnë me konceptin në fjalë. Fushatat zgjedhore, propaganda dhe agjitimi të bazuar në konceptin kombëtar në të cilën janë bazuar gjatë kësaj periudhe kohere partitë politike shqiptare në Mal të Zi, janë mjaftë të thjeshta, të cunguar dhe të kufizuar nga shkaku se çdo gjë është e përqendruar vetëm në një segment të jetës politike dhe shoqërore, në segmentin kombëtar i cili edhe pse është tepër i rëndësishëm nuk është i vetmi dhe pa segmentet tjera të jetës shoqërore, si janë liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit, mbrojtja e mjedisit jetësor, përparimi ekonomik, kulturor dhe infrastrukturor, është mjaft i varfër.
Agjitimi dhe propaganda që zhvillohen në suazat e kombëtares që zakonisht është karakteristikë për popujt që ende gjenden në fazën e “romantizmit kombëtar”, është plot me përkufizime që i përshtatet mendësisë së trupit votues. Megjithatë, me krijimin e parakushteve ku qytetarja e zëvendëson kombëtarennë përmasa të mëdha, paraqitet edhe nevoja e një forme tjetër të organizimit politik, e një lloji krejt tjetër të partive politike shqiptare në Mal të
Zi, liderëve partiak dhe personave që do të kyçen drejtpërsëdrejt në procesin e agjitimit dhe propagandës, si proces tepër i rëndësishëm që e vulos aktivitetin partiak në fazën parazgjedhore dhe zgjedhore.
Njëra nga karakteristikat e propagandës dhe agjitimit të deritanishëm të partive politike shqiptare në Mal të Zi është “propaganda e fëlliqtë” që zakonishtë si mjet kryesor të veprimit e ka etiketimin e partive dhe kandidatëve kundërshtarë, nënçmimet, devalvimet, fyerjet dhe në të shumtën e rasteve imponimin e kompleksit të frikës. Të gjitha këto forma dhe metoda të veprimit të partive politike shqiptare në Mal të Zi, duhet kuptuar si “normale” në qoftë se e kemi parasysh nivelin e organizimit politik në Mal të Zi gjatë këtyre viteve të funksionimit të sistemit shumëpartiak. Me siguri në të ardhmen shumçka do të ndryshojë, sidomos kur do të ngrihet niveli i kulturës politike si te oligarkitë partiake ashtu edhe te masat e gjëra dhe nënkuptohet, kur do të fillojë njëmend të funsionojë shteti juridik dhe mekanizmat e tij.